Maqedoni
Instituti për Shëndet Publik, 6 pacientë njëkohësisht vuajnë nga gripi dhe Kovid-19
02.02.2024 16:22
Si pasojë e gripit në vendin tonë për një javë, jetën e kanë humbur dy persona të moshës 20 dhe 36 vjeç...

Si pasojë e gripit në vendin tonë për një javë, jetën e kanë humbur dy persona të moshës 20 dhe 36 vjeç, duke e çuar në shtatë numrin e viktimave nga kjo sëmundje infektive që nga fillimi i sezonit të gripit, ndërsa një pacient jetën e ka humbur nga Kovid-19. Në raportin e Institutit për Shëndet Publik theksohet se te këta persona kanë pasur sëmundje shoqëruese – hematologjike, kardiovaskulare, obeziteti dhe nuk kanë qenë të vaksinuar. Gjithashtu përmes analizave laboratorike është konstatuar se gjashtë pacientë, njëkohësisht vuajnë nga gripi dhe Kovid-19.
Bellçishta: Jo antibiotik kokë më vete, përkeqëson shëndetin
Për arsye që trupi mund të sulmohet nga më shumë viruse në të njëjtën kohë, mjekët apelojnë që në momentin e paraqitjes së simptomave të para të paraqiten për kontroll dhe assesi të marrin kokë më vete antibiotik, sepse mund të përkeqësojnë shëndetin e tyre.
“Kemi raste që te pacientët paraqitet kollitja. Ajo kollitje zgjat 1 javë, 2 javë dhe të marrim masa, të shohim pse është ai koll, a është në bazë të alergjisë apo në bazë të ndonjë virusi apo ndonjë baktere. Te shumica e pacientëve dëgjojmë disa fishkëllima, por shumica e pacientëve na fshehin terapinë që e marrin ata, kur ka pasur pacienti temperaturë dhe kanë marrë antibiotikun. Është gabim i madh të merret antibiotiku pa konsultim me mjekun amë, pastaj ne mjekët amë dimë historinë e pacientit, se e kemi me gjenerata dhe e dimë se çfarë pasojash mund të ketë ajo familje prej ndonjë të sëmuri që e ka virusin apo gripin.”, - deklaroi mjekja, Sefiana Bellçishta.
Që nga java e katërt e vitit 2024, gjithsej 61,543 persona janë vaksinuar në vend me vaksinë falas ose komercial. Në raportin e fundit të Institutit të Shëndetit Publik vërehet një rritje e ndjeshme e të sëmurëve me grip dhe kulmi i infeksionit pritet këtë muaj dhe në fillim të marsit. Të dhënat për situatën e gripit të Institutit i referohen të gjithë muajit janar, ku theksohet se në javën e fundit janë raportuar 1,834 raste, që është 9,5 për qind më shumë krahasuar me javën tretë të janarit. Deri më tani, që nga fillimi i sezonit të gripit në fund të vitit të kaluar, me analizë apo me diagnozë të mjekut janë konfirmuar 7,009 raste.
VLORA LATIFI TOPOJANI
