Botë

Konjufca: Dinari duhej të ndërpritej që në vitin 1999

02.02.2024 17:17

Situata në veri nuk del jashtë kontrollit vetëm pse dinari është hequr nga përdorimi si valutë...

Situata në veri nuk del jashtë kontrollit vetëm pse dinari është hequr nga përdorimi si valutë, ka deklaruar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Sipas tij, dinari dhe shfrytëzimi i tij është dashur të ndërpritet kur Serbia është larguar nga Kosova më 1999. 
 
“Dinari dhe shfrytëzimi i tij është dashur që të ndërpritet kur Serbia është larguar nga Kosova pas luftës çlirimtare të UÇK-së dhe NATO-s në qershor të vitit 1999. Por, prej viti 2001 askush nuk ka dyshim që edhe me vetë rregullimin institucional të RKS-së, edhe me rregulloret dhe ligjet tona dinari ka qenë gjithmonë ilegal, tjetër gjë që pastaj në forma dhe mënyra të ndryshme është shfrytëzuar edhe është përdorur prej institucioneve paralele që i ka pasur Serbia këtu në RKS-së dhe që i ka keqpërdorë ato. Kjo që nga ndodh me rregulloren e BQK-së është vetëm zbatim i një principi, i cili është qysh moti në RKS. Por, kjo është konsideruar një çështje, e cila nga ana e Qeverisë me siguri dhe nga ana e BQK-së një çështje, e cila nuk do të shkaktojë probleme  dhe turbulenca.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
 
Konjufca njëherit nuk e beson se do ketë sanksione ndërkombëtare për Kosovën për këtë çështje. Ndërkohë Komisioni Evropian u është bashkuar zërave kritikë ndaj Kosovës, pas hyrjes në fuqi më 1 shkurt të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh përdorimin e euros për pagesat me para të gatshme, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb, që përdoret nga serbët të cilët jetojnë në Kosovë. BE-ja dhe ShBA-ja kanë kërkuar shtyrjen e vendimit, pas reagimit të Listës Serbe dhe autoriteteve në Beograd.
 
GYLTENE SINANI