KE kërkon kushtëzimin e anëtarësimit, Serbia të zabtojë marrëveshjet me Kosovën
03.02.2024 15:23
Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm...

Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i Bashkimit Evropian (EEAS) ia kanë dorëzuar të premten Këshillit të BE-së një propozim për ta ndryshuar dhe plotësuar kornizën e bisedimeve me Serbinë për anëtarësimin e saj në bllok.
Ndryshimet në kapitullin 35 kanë të bëjnë me përfshirjen si kusht detyrues për Serbinë edhe zbatimin e marrëveshjeve që ajo i ka arritur deri tani me Kosovën në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku evropian, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burimet brenda BE-së.
Ky propozim u dorëzua dy ditë më vonë se afati që e kishin dhënë vendet anëtare në takimin e 12 dhjetorit të vitit të shkuar, kur kishin kërkuar që para fundit të muajit janar të këtij viti Komisioni dhe EEAS ta dorëzonin propozimin. Kërkesa për ndryshimin formal të kushteve në kapitullin 35 për Serbinë vjen pasi kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, tha në dhjetor se vendi i saj nuk do t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet për të cilat u pajtua me Kosovën.
Pas arritjes së Marrëveshjes në Bruksel në muajin shkurt të vitit të kaluar dhe aneksit për zbatimin e saj në Ohër në mars, Bashkimi Evropian kishte ngulur këmbë se këto marrëveshja janë ligjërisht obliguese për palët, pavarësisht se ato nuk janë nënshkruar.
Në rastin e Serbisë, sipas zyrtarëve të BE-së, zbatimi do të bëhet edhe formalisht obligues duke u përfshirë si kusht specifik në kornizën e bisedimeve të saj për anëtarësim në bllok.
