Përshkallëzohet kriza në Lindjen e Mesme, SHBA sulmon objektivë në Siri dhe Irak

03.02.2024 19:27

Me bombarduesit me rreze të gjatë B-1...

Me bombarduesit me rreze të gjatë B-1, SHBA nisi sulme ajrore kundër objektivave në Irak dhe Siri.  U goditën objektet e përdorura nga Garda Revolucionare e Iranit dhe grupet që bashkëpunojnë ngushtë me të. 
 
Uashingtoni thotë se nuk po kërkon konflikt me Iranin apo rajonin më të gjerë të Lindjes së Mesme, por operacione të reja ushtarake priten në ditët në vijim. 
Grupet shiite irakiane, nga ana tjetër, pretendojnë se sulmuan bazën ajrore amerikane në kurdistanin irakian.
 
"Forcat ushtarake amerikane goditën më shumë se 85 objektiva në shtatë objekte të përdorura nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe grupet militante që ajo sponsorizon. Tre nga objektet janë në Irak. Katër prej tyre ndodhen në Siri. Këto objektiva u zgjodhën me kujdes për të shmangur viktimat civile dhe bazuar në prova të qarta dhe të pakundërshtueshme se ato ishin të lidhura me sulmet ndaj personelit amerikan në rajon." - tha Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Xhon Kirbi. 
 
Nga Damasku thonë se kanë regjistruar viktima dhe të plagosur pas sulmeve në rajonin lindor të Sirisë dhe afër kufirit Siri-Irak. 
Ushtria siriane thekson se bombardimi nuk ka asnjë justifikim dhe vetëm zvogëlon aftësinë për të luftuar terrorizmin. Më parë, autoritetet në Teheran theksuan se nuk kishin ndërmend të fillonin një luftë.
 
"Irani nuk do të fillojë një luftë, por nëse ndonjë vend, nëse ndonjë forcë mizore dëshiron të na ngacmojë, Republika Islamike e Iranit do të japë një përgjigje të fortë" - tha Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi. 
 
Edhe pse sulmet e SHBA-së nuk synuan  Iranin, ekziston një rrezik real i një përshkallëzimi të konfliktit në Lindjen e Mesme pas muajsh lufte në Rripin e Gazës. 
 
Sipas ekspertëve ushtarakë, ky është një sulm serioz që vetëm disa kombe në botë mund ta kryejnë. 
 
Ministrat e jashtëm të BE-së bëjnë thirrje për përmbajtje dhe dialog sa i përket  situatës në Lindjen e Mesme.
 
"Sekretari Austin tregoi në panelin e Pentagonit këtë javë se kjo mund të zgjasë më shumë se një ditë. Unë dyshoj se administrata Bajden është me sa duket e paqartë me qëllim për një sërë arsyesh, duke përfshirë sigurinë operacionale dhe duke mos u dhënë shumë paralajmërime kundërshtarëve. Ata duan të mbajnë opsionet e tyre të hapura bazuar në mënyrën se si reagojnë milicitë e mbështetura nga Irani” - u shpreh Bradli Bouman nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive. 
 
Operacioni është një përgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme ndaj objektivave amerikanë në rajon, veçanërisht pas sulmit të javës së kaluar në Jordani, kur tre ushtarë vdiqën dhe dhjetë u plagosën. (Flutura Latifi, TVM2)