Ohër, çdo javë regjistrohen mbi 40 raste të reja të gripit

04.02.2024 15:35

Në Ohër çdo javë regjistrohen rreth dyzet raste...

Në Ohër çdo javë regjistrohen rreth dyzet raste të reja të gripit. Qendra e shëndetit publik thotë se këto shifra mund të jenë edhe më të larta sepse një pjesë e madhe e të sëmurëve trajtohen në shtëpi dhe nuk kërkojnë ndihmë mjekësore. 
 
Pacientët kanë një pamje klinike të temperaturës së lartë, dhimbjes së fytit, trupit, dhimbje të stomakut dhe vështirësive në frymëmarrje. 
 
Nga dhjetori e deri më sot ka qarkulluar virusi i gripit tip "A H1N1" dhe vetëm në një rast është identifikuar "Covid 19".
 
"Në këtë periudhë më e prekur ishte mosha nga 15 deri në 40 vjeç, do të theksoj se personat që nuk janë vaksinuar e konsiderojnë veten të shëndetshëm me imunitet të mjaftueshëm, por vaksinimi jep mbrojtje më të mirë. Kjo është një vaksinë që ne e kemi prej vitesh dhe pacientët kronikë që janë të vaksinuar sigurisht që do të kenë një pasqyrë klinike më të lehtë se ata që nuk janë të imunizuar. Megjithatë në rajonin tonë nuk kemi pasur raste të rënda dhe as vdekje” - tha epidemiologja Dr.Jovanka Sturlakova - Koroveshoska. 
 
Vetëm të sëmurët kronikë dhe të moshuarit shfaqin interes për vaksinimin kundër gripit sezonal. Megjithëse vaksina është e sigurt dhe e rekomanduar nga OBSH, gratë shtatzëna nuk vaksinohen fare.
 
“Përqindja e personave që vaksinohen nga personeli shëndetësor, të rinjtë, gratë shtatzëna është shumë e vogël. Asnjë nga gratë shtatzëna nuk është vaksinuar, pavarësisht se OBSH rekomandon dhënien e tij edhe për gratë shtatzëna. Janë vaksinuar 2602 persona, me vaksinë falas dhe 50 persona të tjerë me vaksinë komerciale, persona që nuk I plotësojnë kushtet për vaksinë falas” - u shpreh epidemiologja Dr.Jovanka Sturlakova - Koroveshoska. 
 
Epidemiologët rekomandojnë që të gjithë qytetarët të vaksinohen, për të shmangur gripin dhe sëmundjet tjera kryesisht gjatë sezonit të dimrit. Ata gjithashtu rekomandojne që të konsumohet ushqim i shëndetshëm, më shumë lëngje, aktivitet fizik dhe shëtitje në ajër të pastër. (Ilmije Zhaku, TVM2)