Pacientët me sëmundje kardiovaskulare, Pocesta: Më të rrezikuarit nga gripi dhe viroza

04.02.2024 16:20

Gripi sezonal ka ndikuar në rritjen e numrit të pacientëve....

Gripi sezonal ka ndikuar në rritjen e numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore, si te mjeku amë ashtu edhe në spitale. Para disa ditësh fatkeqësisht pati edhe një rast me fatalitet të një pacienteje 20 vjeçare. Mjekët thonë se më të rrezikuar nga gripi janë personat me sëmundje kronike, përfshirë edhe ata me sëmundje kardiovaskulare.
 
Drejtori i Klinikës së Kardiologjisë, Bekim Pocesta, bën të ditur se në këtë klinikë numri i pacientëve në këtë periudhë zakonisht është më i lartë, për shkak të sezonit të gripit, por edhe numri i shtuar i rasteve me KOVID-19. 
 
Gjithsesi, në Klinikën e Kardiologjisë janë marrë të gjitha masat e nevojshme për trajtimin e pacientëve në këtë periudhë më delikate të vitit, thotë Pocesta për TVM2.                                                                                                                
“Në përgjigjësi numri është i rritur, por lehtësisht, nuk kemi ndonjë rritje të madhe të pacientëve me sëmundje kardiovaskulare të cilët janë në të njëjtën kohë me grip.”   - tha Drejtori i Klinikës së Kardiologjisë, Bekim Pocesta.
 
Meqenëse pacientët me sëmundje kardiovaskulare janë më të rrezikuarit nga gripet dhe virozat sezonale, ata gjithmonë duhet të jenë më të kujdesshëm në prevenimin e tyre, theksoi Pocesta.
 
“Gjithmonë pacientët me sëmundje kardiovaskulare si dhe me sëmundje kronike kardiovaskulare, janë një grup i pacientëve të cilët janë më të ndjeshëm, nga prekja nga sëmundjet tjera, sidomos virale, sidomos nga gripi, sepse janë pacientë të cilët janë në një mjekim të vazhdueshëm kronik dhe mjafton një grip apo kovid-19 apo cfarëdo infeksioni tjetër viral, që të bëjë destabilizimin e këtyre pacientëve, prandaj këta pacientë gjithmonë duhet të jenë më një kujdes më të shtuar dhe të merren masa në shenjat e para, t’i marrin masat e para për të parandaluar komplikimet e mëtutjeshme.” - u shpreh Drejtori i Klinikës së Kardiologjisë, Bekim Pocesta.
 
Pocesta: Vaksinimi, mbrojtja më e mirë nga gripi 
 
Edhe pse me ligj nuk është e obliguar vaksinimi, Pocesta tha se prevenimi më i mirë për parandalimin e gripit është vaksinimi, që preferohet nga të gjitha institucionet relevante shëndetësore në botë, por edhe nga reparti i kardiologjisë. 
 
“I këshillojmë të gjithë pacientët me sëmundje kardiovaskulare që të vaksinohen, sepse ajo është mbrojtja më e mirë, ose preventive më e mirë nga komplikimet të cilat mund të ndodhin në rast të një infeksioni me virusin e gripit.” - deklaroi Drejtori i Klinikës së Kardiologjisë, Bekim Pocesta.
 
Pocesta: Numri i të rinjëve me sëmundje të zemrës po rritet 
 
Numri i sëmundjeve kardiovaskulare dhe sëmundjeve të enëve të gjakut, ëshë në rritje kudo në botë, por shqetësuese është numri i të rinjve që po përballen me sëmundje të tilla.
 
“Ka një rritje të numrit të sëmundjeve kardiovaskulare në popullatën më të re. Gjithë kjo i dedikohet mënyrës së jetesës në kohën e sotme, mënyrës së të ushqyerit, obezitetit, ushqimet e yndyrshme, jeta sedentare që e bëjnë të rinjtë sot, pa aktivitet fizik, para kompjuterit dhe telefonave dhe shumë pak merren me aktivitete fizike.” - u shpreh Drejtori i Klinikës së Kardiologjisë, Bekim Pocesta.
 
Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku më i zakonshëm i vdekjeve në nivel global. Pothuajse 18 milion njerëz vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare çdo vit në botë. Vlerësohet se deri në vitin 2030 ky numër do të arrijë në 23.6 milion njerëz.  (Fitore Demolli, TVM2)