Rripi i Gazës, thellohet bilanci i viktimave nga luftimet

04.02.2024 19:37

Thellohet bilanci i viktimave...

Thellohet bilanci i viktimave nga luftimet në Rripin e Gazës. Mbi 27 mijë persona kanë humbur jetën që prej fillimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor të vitit që lamë pas. 
 
Ministria e Shëndetësisë palestineze e udhëhequr nga Hamasi në raportimin e saj ditor, njofton se si pasojë e luftës kanë mbetur të plagosur mbi 66 mijë persona. 
 
Vetëm në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 127 persona si dhe kanë mbetur të plagosur 178 të tjerë. 
 
Ministria e Shëndetësisë saktëson se nuk dihet se sa prej viktimave janë civilë dhe sa luftëtarë të Hamasit. 
 
Ndërkohë Agjencia e OKB-së për Refugjatët njoftoi se njerëzit vazhdojnë të vdesin para syve të botës në katastrofën e pashembullt që përjetohet në Rripin e Gazës ku Izraeli ka detyruar popullatën duke i lënë në uri dhe pa ujë. 
 
Në një postim Agjencia tërhoqi vëmendjen mbi urinë dhe krizën humanitare që thellohet çdo ditë e më shumë.