Botë

Stuhitë godasin Evropën, “Niklas” merr jetët e 9 personave

01.04.2015 15:18

Të paktën katër të vdekur dhe shumë të lënduar pasi stuhia "Niklas" e përfshiu Gjermaninë...

Evropa, prej mbrëmë po përballet me stuhi të fuqishme. Gjermania, Austria, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar kanë ndjerë drejtpërdrejt këto stuhi.
 
Nëntë janë viktimat e motit në këto vende, shtatë prej tyre vetëm në Gjermani, përfshirë dy burra, makinat e të cilëve u goditën prej pemëve që janë rrëzuar nga furia e erës.
 
Të plagosurit janë me dhjetëra, shumica të lënduar prej degëve të këputura që fluturonin në ajër.
 
Në majën më të lartë të Gjermanisë, Zugspitze, u regjistruan erëra që mbërrinin një shpejtësi prej 198 kilometra në orë.
 
Shërbimi hekurudhor në pjesë të ndryshme të vendit është ndërprerë, ndërsa stacioni kryesor i trenit në Mynih u evakuua pas shqetësimeve se një pjesë e çatisë së tij rrezikonte të shembej. 
 
"Është një kaos i vërtetë. Asgjë më nuk funksionon, as komunikacioni hekurudhor këtu. Tani po mundohemi të gjejmë vauçer për të udhëtuar me taxi deri te vendet ku duam të shkojmë”- u shpreh një udhëtar gjerman.
 
"Ne planifikojmë të fillojmë me punë, duke hapur linjat hekurudhore rajonale në mëngjes, megjithatë gjithçka varet nga ajo se si do të jetë koha sonte”- tha Sonja Stoetzel nga Stacioni Hekurudhor “Nordhein Westfahlen”.
 
Stuhia e mbiquajtur “Niklas” kaloi nëpër të gjithë perëndimin e Gjermanisë, duke shkaktuar probleme të qarkullimit në Saksoninë e poshtme e Rinin verior, ndërsa shumë gjermanë përgatiteshin të udhëtonin për pushimet e “Pashkëve”. 
 
Në qytetin Gross Santersleben, një burrë vdiq pas rrëzimit të një muri prej betoni. 
 
Në aeroportet e Frankfurtit, Hamburgut dhe Mynihut janë raportuar vonesa e probleme të tjera të fluturimeve.
 
“Niklas” arriti edhe në Austri me shpejtësi prej 100 km në orë, e cila goditi dhe shkatërroi shumë shtëpi, shkuli drunjtë, si dhe bllokoi komunikacionin rrugor dhe hekurudhor në këtë vend. Një person ka gjetur vdekjen duke u munduar të rregullojë kulmin e shtëpisë.
 
Ndërkohë, në Holandë erërat më të forta u llogaritën në 120 km/h, mjaftueshëm sa për të përmbysur disa kamionë.
 
LEUNORA KALIQI