Maqedoni
FSSh-ja në grevë, qytetarët të revoltuar, punonjësit kërkojnë paga
05.02.2024 14:14
Atmosferë tensionuese para objektit të Fondit për Sigurim Shëndetësor....

Atmosferë tensionuese para objektit të Fondit për Sigurim Shëndetësor. Qytetarët e revoltuar nga greva e punonjësve, edhe pse thonë se janë raste urgjente, nuk mund ta ushtrojnë të drejtën për sigurim shëndetësor. Disa prisnin sigurimin, për shkak të operacioneve urgjente, të tjerë për të aplikuar për pagesën e pushimit mjekësor.
“Jam rast urgjent, nuk më lënë të hyjë brenda, kurse biri im lufton për jetë.”, - tha një qytetar.
“Shikoni zotëri, nëse unë sot nuk e dorëzoj pushimin mjekësor, nuk do të marrë rrogën, edhe unë bie në grupin e rasteve urgjente.”, - tha një qytetar tjetër.
“Nesër jam në një operacion të rëndë. Me gabimin e tyre, të premten nuk munda të kryej punë, më thanë eja të hënën do të jetë gati. Tani nuk e di se çfarë do të bëjmë. Ja, tani nuk kam sigurim shëndetësor.”, - u shpreh një qytetar.
Greva bëhet për arsye se sindikata pretendon që Qeveria kërkon uljen e pagave me 21 për qind për punonjësit, e cila sipas tyre do të prekë 831 punonjës në fond. Sindikata thotë se do të procedohen vetëm rastet urgjente dhe në njësitë rajonale do të jetë vetëm një punonjës për marrjen e dokumenteve.
“Dua publikisht të them se komisionet mjekësore të cilët i vazhdojnë pushimet mjekësore të punëtorëve, atyre që kanë nevojë do të vazhdojnë të punojnë pa pengesë. Nuk e kemi idenë që të kërkojmë drejtësi në kurriz të të sëmurëve.”, - deklaroi kryetari i Sindikatës së FSSh-së, Branko Axhigogov.
“Revolta në mesin e punonjësve është e madhe. Në grevë janë edhe ata që janë në sindikata të tjera. Le të mbeten ato paga që kemi marrë me rrogën e dhjetorit. Nuk kërkojmë asgjë më shumë, por vetëm që pagat tona të mbeten në të njëjtin nivel si në dhjetor. Greva nuk do të ndalet, edhe me çmimin e mospagimit, siç është tani. Aktualisht punonjësit e FSSh-së nuk kanë rrogë.”, - theksoi Tërpe Deanovski nga Sindikata e Punëtorëve nga Administrata, Organet Gjyqësore dhe Shoqatat e Qytetarëve.
Në Ministrinë e Financave, nga ana tjetër, thonë se nuk bëhet fjalë për ulje të pagave, por që po tentohet të ketë rritje të sërishme të pagave, gjë që do të kishte implikime fiskale në buxhetin e fondit.
ERSAN PAJAZITI
