Maqedoni

Ndasitë brenda ASh-së, një plumb në oborrin e Taravarit

05.02.2024 15:00

Para derës hyrëse të shtëpisë së kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari...

Para derës hyrëse të shtëpisë së kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, është gjetur një plumb i pashkrepur. Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë e konfirmon rastin duke theksuar se bëhet fjalë për një plumb automatiku.
 
“Sot (05 shkurt) në ora 09:34, J.J.(42) nga Gostivari ka raportuar në SPB-Tetovë se para derës së hyrjes së shtëpisë së A.T.(50) në Gostivar, është gjetur një plumb i armës automatike e kalibrit 7,62 milimetra. Një ekip nga SPB Tetovë – Sektori i Punëve të Brendshme Gostivar ka bërë kontroll në vendin e raportuar. Plumbi i gjetur është fotodokumentuar dhe është dërguar për ekspertizë. Po merren masa për pastrimin dhe dokumentimin e plotë të rastit.”, thuhet në njoftimin e SPB-Tetovë.
 
Ndërkohë kreu i ASh-së, Arben Taravari, e ka vlerësuar gjetjen e plumbit para shtëpisë së tij si mesazh i qartë kërcënues mafioz.
 
“Më vjen keq për ata politikanë që tregojnë se argumenti i tyre për të heshtur zërin e dikujt janë plumbat, plumba që më kujtojnë Italinë e viteve 1992, ku mafia e vrau gjykatësin e famshëm, Xhovani Falkone. Por, për kaq më vjen keq. Këtu mbaron keqardhja ime dhe fillon gëzimi im, sepse kuptoj se ata që e mbanin peng këtë vend janë në dëshpërimin e humbjes!  Është në hall të madh kushdo që i mbaron fjala dhe i mbetet vetëm plumbi. Kujtdo, që e ka lëshuar atë plumb, i them se edhe sikur artileri të rëndë të lëshoni, ndryshimi ka filluar dhe nuk ka asgjë që e ndal!”, thekson Taravari.
 
Po ashtu Policia e Tetovës ka konfirmuar edhe përleshjen fizike mes Krenar Osmanit dhe drejtorit të Agjencisë për Menaxhim me Pronën e Konfiskuar, Driton Nebiu, që ndodhi në një lokal në Tetovë, menjëherë pas konferencës për media të kryetarit të Kuvendit të ASh-së, Ziadin Sela. 
 
Me apel për qetësimin e gjakrave ka dalë sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Krenar Lloga. 
 
“Ne kemi kaluar së bashku shumë situata, si gëzime, ashtu edhe hidhërime. Andaj, apelojmë që edhe nëse ndahen rrugët tona, këtë ta bëjmë si njerëz të civilizuar e familjarë. Dënojmë çfarëdo lloj akti dhune shfaqur nga kushdo, ashtu siç e dënojmë sot aktin qyqar që ka ndodhur ndaj bashkëpartiakut tonë, Arben Taravarit. Dhuna nuk është zgjidhje. Organet policore le ta zbardhin rastin dhe fajtorët të dalin para drejtësisë. Kemi ngrënë aq shumë bukë bashkë, sa duhet ta ruajmë dinjitetin para familjarëve tanë.”, thuhet në kumtesën e sekretarit të përgjithshëm të ASh-së, Krenar Lloga. 
 
Njoftimi për vendosjen e plumbit para derës së kryetarit të ASh-së vjen pas tensioneve brenda partiake të ditëve të fundit, pasi kryetari i kësaj partie, Taravari, njoftoi qëndrimin e tij për t’u bërë pjesë e opozitës shqiptare, pas çka reagoi kryetari i Kuvendit të ASh-së, Ziadin Sela, i cili ka thirrur për të shtunën mbledhje të Kuvendit, në të cilën, siç u paralajmërua do të kërkohet përgjegjësi nga kryetari Taravari. 
 
Në mbledhjen e Kuvendit të thirrur nga Sela nuk pritet të marrin pjesë anëtarët e Kuvendit, të cilët me anë të nënshkrimeve kanë mbështetur qëndrimin e Taravarit për koalicion me opozitën shqiptare. (Fitore Demolli, TVM2)