Botë

Hovenier: Kërkojmë shtyrjen e vendimit për dinarin

05.02.2024 15:17

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Xhefri Hovenier, e ka përsëritur kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës për shtyrje..

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Xhefri Hovenier, e ka përsëritur kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës për shtyrje të vendimit për zbatim të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës që ndalon dinarin serb. Pas një takimi që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ambasadori amerikan ka thënë se shpresojnë që Qeveria të jetë partnere me ShBA-në.
 
“Unë mund të them që kërkesë e ShBA-së është që kjo të shtyhet. Ka shumë punë për t’u bërë deri në implementimin e saj. Qeveria ka folur për një periudhë tranzicioni dhe ne shpresojmë që ky tranzicion t’i marrë parasysh shqetësimet për këtë çështje. Ne besojmë që Qeveria do të jetë partnere e jona në këtë çështje. Nëse ajo vendos ndryshe, atëherë kjo do të ketë ndikim në kualitetin e partneritetit tonë.”, - deklaroi ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Xhefri Hovenier.
 
Osmani: Aleatët kurrë nuk kanë qenë pro dinarit
 
Ambasadori Hovenier ka thënë se ndonëse Shtetet e Bashkuara e mirëpresin vendimin e Kosovës për respektim të Kushtetutës së vendit, ShBA-ja beson që duhet të ketë periudhë edukuese për rregulloren e re. Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se aleatët asnjëherë nuk kanë qenë kundër Kushtetutës së Kosovës, e as pro dinarit serb.
 
“Unë nuk shoh asgjë anormale në bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë në gjetjen e rrugëve shumë efektive nëpërmjet të cilave do të informoheshin qytetarët se si do të zbatohet rregullorja e BQK-së, e cila nuk është rregullore kundër dinarit, por është rregullore që ka të bëjë me parandalimin e spastrimit të parave. Bashkëpunimi dhe koordinimi ynë me aleatët në gjetjen e rrugëve për zbatimin sa më efektiv dhe afatgjatë të Kushtetutës sonë nuk është gjë e keqe, por siç e dëshmon historia, është gjëja më e mirë dhe më e mençur për Kosovën.”, - theksoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. 
 
Presidentja Osmani njëherit ka theksuar se me kryeministrin Albin Kurti i kanë qëllimet e përbashkëta, ndër të cilat është edhe mbrojtja e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. 
 
GYLTENE SINANI