Maqedoni

Roma mbledh ministrat e jashtëm rajonal, me “Miqtë e Ballkanit” bisedohet eurointegrimi, Osmani takon bartësit e M-Kartës

05.02.2024 15:36

Përshpejtimi i procesit eurointegrues në Ballkanin Perëndimor, sfidat dhe problemet që tangojnë Evropën Juglindore...

Përshpejtimi i procesit eurointegrues në Ballkanin Perëndimor, sfidat dhe problemet që tangojnë Evropën Juglindore, në fokus të takimit mes ministrave të jashtëm të rajonit dhe ministrave  të vendeve të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”. Në sesionet ku nikoqir është  Roma dhe ministri italian, Antonio Taxhani, në tavolinë shtrohet perspektiva e vendeve aspirantë, ndërkaq qëndrimet e kryediplomatëve të vendeve ballkanike do t’i dëgjojnë ministrat e shteteve anëtare të BE-së, ai i Greqisë, Austrisë, Sllovenisë dhe Kroacisë. Gjatë qëndrimit të tij në Itali, ministri Osmani do t’i takojë edhe bartësit e rinj të M-Kartës. Për Televizionin 24, Osmani theksoi se qëllimi i ndarjes së M-Kartave  vazhdon të jetë krijimi i urës së bashkëpunimit mes Diasporës dhe RMV-së, si dhe sjellja e  perspektivës nga jashtë brenda.
 
“10 tanët nga diaspora, të cilëve do t’u dorëzoj të ashtuquajturat M-Kartë, siç e dini projektin ku i përzgjedhim më të integruarit, më të suksesshmit në diasporë. 10 personat që do ta marrin janë mjekë, shkencëtarë, një gastronom i njohur, pra nga fushat e ndryshme.”, - deklaroi ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.
 
Përzgjedhja e personave të cilëve u jepet M-Kartë bëhet sipas propozimeve që mbërrijnë nga ana e përfaqësive diplomatike – konsullore në adresë të Ministrisë së Jashtme.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU