Botë
Shqipëri, Vota e Diasporës, Zaçe: Të zbatohen vendimet e gjykatës
05.02.2024 16:59
Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i paimagjinueshëm, thotë kryetarja...

Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i paimagjinueshëm, thotë kryetarja, Holta Zaçe, referuar vendimit për realizimin e Votës së Diasporës.
“Të vësh në pikëpyetje vendimin e Gjykatës Kushtetuese është e paimagjinueshme në një shtet ligjor. Vetë Kushtetuta nuk i kanë dhënë gjykatës mekanizma të zbatimit të vendimeve, sepse ato janë postulate dhe të zbatueshme detyrimisht. Ajo që dua të theksoj është që nëse mund ta jap si mesazh për politikën është se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është rruga e duhur, e nevojshme dhe e vetme.”, - deklaroi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçe.
Sipas saj, politika ka zhvendosur diskursin e saj tek gjyqësori duke përdorur vendimet e Gjykatës Kushtetuese si instrument për kauzat e tyre.
“Ne po përjetojmë një situatë, e cila tregon gjyqësorizimin e politikës, çdo ligj e nismë ligjore vjen dhe atakohet në Gjykatën Kushtetuese që ka bërë që të zhvendosë diskursin politik në gjyqësor. Ne bëjmë përpjekje për të funksionuar në mënyrë hermetike, do kurajë të japësh edhe mendime që nuk janë popullore. Duhet të bazohesh në ligjshmëri dhe jo sa popullor apo sa publiku e do këtë vendim. Gjykata flet me vendim dhe ky është i vetmi zë i saj, nuk komenton përtej vendimit. Ne po dalim publikisht të shpjegojmë vendimet, sepse ato nuk kuptohen. Njerëzit që japin opinione për vendimet tona nuk i kanë lexuar ato vendimet.”, - theksoi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçe.
Kryetarja e Kushtetueses foli edhe për marrëveshjen e emigrantëve me Italinë, që pritet të miratohet të enjten në Kuvend.
LULJETA NDOKA
