Botë

Ukraina kërkon përkrahje më të madhe, Zelenski: Do të fillojë një luftë globale

05.02.2024 17:37

Nëse Ukraina nuk do ta mposhtë Rusinë, konflikti do të përshkallëzohet në Luftën e Tretë Botërore...

Nëse Ukraina nuk do ta mposhtë Rusinë, konflikti do të përshkallëzohet në Luftën e Tretë Botërore, tha presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, duke bërë thirrje për mbështetje më të fortë ushtarake nga vendet perëndimore, të cilave sipas Zelenskit u rrezikohet paqja, pasi NATO-ja nuk garanton mbrojtje dhe nuk është e përgatitur për t’i bërë ballë Putinit, tha ai.
 
“Disa ukrainas kanë filluar të mësohen me luftën dhe ky është një gabim i madh; nuk është e drejtë ndaj atyre që janë në front dhe fronti gjithashtu mund të të arrijë atje ku je, nëse nuk i mbështet ata që luftojnë. E njëjta gjë vlen edhe për Evropën. Lufta mund t'ju arrijë, sepse kemi të bëjmë me Putinin dhe kur të vijë lufta askush nuk do të jetë gati. Ushtritë evropiane nuk janë gati. Do të jetë një tronditje. Dhjetëra mijëra njerëz do të jenë në kaos; ata do të migrojnë, por ku do të ikin? Njerëzit tanë shkuan në vendet evropiane. Aty gjetën strehë. Por, çfarë do të bëjë Evropa nëse ushtria ruse arrin? Si do ta mbrojë veten Evropa? Ku është garancia që NATO-ja do të reagojë menjëherë? Do të fillojë një luftë globale dhe do të ketë shumë humbje të mëdha.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski. 
 
Ndërkohë Bashkimi Evropian do të vendosë një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, në përvjetorin e dytë të luftës në Ukrainë. Sanksionet do të zgjerohen ndjeshëm duke përfshirë më shumë njerëz dhe organizata, pasuritë e të cilëve në BE do të bllokohen. Gjithashtu ShBA-ja miratoi një pako të re ndihmash prej 118 miliard dollarëve për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin.
 
“Është fryt i më shumë se dy muaj negociatash dhe punës së administratës, natë e ditë, pushime dhe fundjavë. Ne do të mbështesim financiarisht këto vende për të ruajtur paqen dhe stabilitetin rajonal.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Xho Bajden.
 
Ndërkohë në teren vazhdojnë luftimet. Ukraina pretendon se Rusia ka përgatitur gati 40 mijë trupa dhe 500 tanke kundër qytetit lindor të Kupiansk. Forcat e Mbrojtjes në Ukrainë paralajmërojnë se Federata Ruse tenton të pushtojë të gjithë rajonet Donetsk dhe Luhansk, si edhe një pjesë të rajonit të Kharkivit deri në lumin Oskil. Instituti për Studimin e Luftës në Uashington paralajmëron se mungesa e artilerisë dhe vonesat në ndihmën e sigurisë perëndimore do të krijojnë pasiguri në planet operacionale të Ukrainës. (Farije Dauti - Bakiu, TVM2)