Studentët në protestë, Shaqiri: Detyrimet ndaj studentëve u shlyen

05.02.2024 17:54

Studentët nga disa Universitete në vend....

Edhe pse mjetet për të cilat studentët kishin vendosur të protestojnë para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ishin paguar nga ana e MASh-it dy orë para fillimit të protestës, studentët nuk hoqën dorë nga protesta. 
 
Studentët nga disa Universitete në vend protestuan për mos efikasitetin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, edhe atë pikërisht në pjesën e mospagesës së bursave dhe subvencionet dhe obligimet tjera ndaj studentëve si çështja e transportit, e akomodimit. 
 
Organizatorët e protestës, Asambleja Studentore Universitare (ASU) e Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup, nxorën kartonin e kuq për ministrin, Jeton Shaqirin dhe funksionimin e këtij institucioni. 
 
Studentët edhe pse ishin të ftuar nga ana e ministrit Shaqiri, për të realizuar takim në zyrën e tij, ata nuk pranuan këtë dorë të zgjatur.
 
“Në statusin e ministrit Shaqiri shkruante se mjetet të cilat po i kërkojmë janë paguar dhe i kemi tanimë në xhirollogaritë tona, por dua të përmendi se këto mjete është dashur të futen në mes të muajit janar, e pastaj u premtua fundi i muajit janar dhe e gjithë kjo është vetëm për bursat. Përveç kësaj, kishim mjete edhe pagesat retroaktive, kishim vauçerët për udhëtim, por edhe problemet me ushqimin e studentëve.”, - u shpreh një student.
 
“Këtu jemi të gjithë së bashku të bashkuar dhe po i kërkojmë ndryshimet të cilat i meritojmë edhe në arsimin e lartë, por më e rëndësishmja është se ne po kërkojmë që zërin tonë ta dëgjojnë institucionet dhe reagimet tona si marrin seriozisht.”, - tha një studente.
 
Por, për ministrin e Arsimit, Jeton Shaqiri, vonesat nuk kanë qenë të qëllimshme, por sipas tij studentët duhet të kuptojnë se vendi kishte emërimin e funksionarëve në Qeverinë e re teknike dhe pengesat administrative në këtë drejtim sipas tij e bënë të vetën. 
 
Shaqiri, po ashtu pohoi se ai do të jetë çdoherë në anën e studentëve dhe se vonesa të tilla në muajt e ardhshëm nuk do të ketë. 
 
“Të gjithë këto procedura dhe kërkesat e tyre që të paguhen obligimet e Ministrisë në drejtim të studentëve janë ballafaquar me problemet administrative. Të njëjtat mjete janë lëshuar të enjten, pastaj realizimi i tyre është mbaruar të premten, por pastaj kishin vikendin dhe sot në ora 9:00 të mëngjesit, të gjithë studentët mjetet e tyre i kishin në llogaritë e tyre.”, - deklaroi ministri i MASh-it, Jeton Shaqiri.
 
Nga Qeveria bëjnë me dije se që nga java e ardhshme do të bëhet pagesa e bursave edhe për shfrytëzuesit e rinj dhe se janë vendosur kategorizime të reja, të cilat do të kapin vlerën e 18 mijë denarëve. 
 
Po ashtu nga MASh-i dhe Qeveria njoftuan se shumë shpejtë do të fillojë edhe rikonstruimi i të gjitha konvikteve studentore, por edhe ndihmë financiare për të gjithë studentet përmes masës antikrizë për ato familje që kanë të ardhura të ulëta. (Fitim Kryeziu, TVM2)