Zgjedhjet, Xhaferi pret Ambasadorët e BE-së
05.02.2024 20:05
Kryeministri, Talat Xhaferi...

Kryeministri, Talat Xhaferi, realizoi takim me ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në shtet dhe me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shkup.
Ky është takimi i parë i përbashkët i Kryeministrit me ambasadorët dhe një mundësi që personalisht t’i informojë për programin e Qeverisë në periudhën e ardhshme në drejtim të sigurimit të vazhdimësisë së politikave qeveritare, dhe aktiviteteve në drejtim të organizimit të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale dhe parlamentare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në fjalimin e tij para të pranishmëve, ndër të tjera, Kryeministri theksoi “Porosia e parë e qartë që dua t’ua përcjell në këtë takim është se unë jam i vendosur, Qeveria që e drejtoj t’i përgjigjet detyrimit ligjor për zbatimin e procesit zgjedhor korrekt dhe demokratik, në përputhje me standardet dhe praktikat më të larta evropiane”.
Në këtë kontekst, Kryetari i Qeverisë, Xhaferi, tha se obligim për zgjedhje korrekte dhe demokratike, krahas Qeverisë dhe institucioneve shtetërore, kanë edhe të gjitha subjektet politike në vend, përkatësisht të njëjtit duhet të tregojnë pjekuri dhe përgjegjësi, ashtu siç i ka hije një vendi anëtar të NATO-s, me negociata të nisura me BE-në dhe forcë lëvizëse e orientimit euroatlantik të rajonit, ndërsa ai personalisht do të angazhohet për një atmosferë konstruktiviteti.
