Futboll
Zvicra e shqiptarëve barazon ndaj SHBA-ve
01.04.2015 14:03
Spanja nuk i ka bërë ballë Holandës në një ndeshje miqësore që u zhvillua në Amsterdam Arena, të cilën nikoqirët e fituan me rezultatin 2-0...

Tulipanët ishin të përsosur në fraksionin e parë të lojës, gjatë të cilit edhe i dhanë fund dilemës për fituesin duke i shënuar dy gola.
Sneijder harkoi nga këndi dhe pas intervenimit të mysafirëve, topi iu kthye sërish mesfushorit të Galatasarayt, i cili harkoi në zonë për mbrojtësin e Lazios, Stefan de Vrij, që ishte i saktë me kokë në minutën e 13-të.
Nuk kaluan as tre minuta dhe erdhi goli i dytë, pasi Davy Klaassen, vetëm në paraqitjen e tij të dytë me Holandën, shënoi golin e tij të parë me përfaqësuesen.
Loja e spanjollëve u përmirësua në gjysmën e dytë, mirëpo ata e kishin të pamundur të shënonin në portën e vendasve.
Derbi tjetër I mbrëmjes, mes Italisë dhe Anglisë, u mbyll pa fitues, 1-1. Italianët nuk u treguan më të suksesshëm para shikuesve të vet në Juventus Stadium. Ishte lojtari i skuadrës angleze të Southhamptonit, Graziano Pelle, ai që e realizoi golin e vetëm për italianët në minutën e 29 -të të takimit.
Mysafirët në pjesën e dytë e kërkuan më tepër golin e barazimit dhe këtë e arritën në minutën e 79-të takimit.
Ishte zëvendësuesi Andros Towsend që realizoi, pas një goditje të fuqishme të topit nga largësia prej 18 metrave.
Zvicra e shqiptarëve ka luajtur 1-1 kundër SHBA-ve në ndeshjen që u zhvillua në Cyrih. Amerikanët kaluan në epërsi në fund të pjesës së parë me një goditje të lirë nga Brek Shea.
Në gjysmën e dytë, mysafirët mbetën me një futbollist më pak pas përjashtimit të Jozy Altidore me karton të kuq, ndërsa në minutat e mbetura, nikoqirët arritën të barazojnë shifrat përmes Valentin Stocker.
Në këtë takim për Zvicrën u angazhuan shqiptarët, Admir Mehmedi, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e Pajtim Kasami.
