Maqedoni
ASh, Sela thërret Kuvendin për të shtunën
06.02.2024 12:41
Kryetari i Kuvendit qendror të ASh-së, Ziadin Sela...

Kryetari i Kuvendit qendror të ASh-së, Ziadin Sela, ka thirrur për 10 shkurt kuvendin partiak.
Sipas njoftimit të lëshuar nga zyra për informim e kësaj partie thuhet se Kuvendi është thirrur në bazë të nenit 65 dhe nenit 100 pika një të statutit. Sela thërret kuvendin partiak në rrethana kur brenda kësaj partie ka ndasi të mëdha, pasi kryetari i ASh-së, Arben Taravari, ka njoftuar qëndrimin për t’u bërë pjesë e opozitës shqiptare.
Ky qëndrim u kundërshtua nga Sela, por Taravari pretendon se ka siguruar mbështetjen e mbi 70% të kuvendarëve. Këto përplasje u shoqëruan edhe me një përleshje fizike mes Krenar Osmanit dhe drejtorit të Agjencisë për Menaxhim me Pronën e Konfiskuar, Driton Nebiu, që ndodhi në një lokal në Tetovë dhe më pas vendosja e një plumbi para shtëpisë së kreut të ASh-së, Taravari.
Në kuvendin e thirrur nga Sela është paralajmëruar shkarkimi i Taravarit dhe ministrave që e përkrahin atë, derisa krahu i Taravarit kanë paralajmëruar mospjesëmarrje në Kuvendin e thirrur nga Sela.
