Botë
Gazë, forcat izraelite vazhdojnë luftimet
06.02.2024 13:53
Forcat izraelite thonë se kanë vrarë dhjetëra sulmues palestinezë dhe kanë ndaluar shumë të tjerë...

Forcat izraelite thonë se kanë vrarë dhjetëra sulmues palestinezë dhe kanë ndaluar shumë të tjerë në operacionet e zhvilluara në 24 orët e fundit në Khan Junis, qytetin që ndodhet në jug të Gazës.
Qytetin jugor, ushtria e ka përshkruar si fokus të luftimeve, derisa ka bërë të ditur se ka ndaluar rreth 80 persona.
Sipas ushtrisë izraelite, në mesin e të ndaluarve ka persona të cilët akuzohen për pjesëmarrje në vrasjet dhe rrëmbimet e 7 tetorit në jug të Izraelit. Në përpjekje për të arritur një marrëveshje të re armëpushimi në luftën mes Izraelit dhe Hamasit, sekretari amerikan i shtetit, Antoni Blinken ka udhëtuar të hënën për në Lindjen e Mesme.
Ai pritet të vizitojë Arabinë Saudite, Izraelin, Egjiptin dhe Katarin gjatë turneut të tij të pestë në rajon, që kur nisi lufta.
Një armëpushim ishte propozuar gjatë një takimi në janar, të mbajtur në Paris, mes zyrtarëve të lartë të ShBA-së, Izraelit, Egjiptit dhe Katarit. Armëpushimi i propozuar parasheh një pauzë të luftimeve fillimisht për gjashtë javë që Hamasi të lirojë pengje në këmbim të të burgosurve palestinezë që mbahen nga Izraeli.
