Botë
Para sulmit në Banjskë, Vuçiqi ishte takuar tri net rresht me Radojçiqin
06.02.2024 14:11
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka pranuar se para sulmit terrorist në Banjskë...

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka pranuar se para sulmit terrorist në Banjskë, është takuar tri net rresht me Millan Radoiçiqin, njeriun kryesor që e ka pranuar se e ka organizuar sulmin e 24 shtatorit.
Në një intervistë për një medium serb, Vuçiqi ka thënë se në takimi ishte edhe Sllavko Simiq dhe disa persona të tjerë.
“Unë tri net kam pasur takim me ata, aty ishin Radojçiqi e Simiqi, edhe nja dhjetë burra të tjerë. Më thanë në fytyrë se nuk u besojnë as amerikanëve, as evropianëve, ndërsa unë u thashë se më duhet t’u besoj se nuk kam kujt tjetër, sepse nuk kam askënd në terren.”.
Vuçiqi ka reaguar edhe për çështjen e ndalimit të dinarit në Kosovë pas vendimit të Bankës Qendrore. Sipas tij, duhet të thirret seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por se nuk është optimist se seanca do të mbahet.
Lajçak po ndjek zhvillimet rreth ndalesës së dinarit
Edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se është duke i ndjekur nga afër zhvillimet e fundit për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila sipas tij ka ndikim në komunitetin serb në Kosovë.
“Po i ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me rregulloren e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës për operimet me para të gatshme, veçanërisht që ndikon tek komuniteti serb që jeton në Kosovë.”, tha Lajçaku në një postim në fejsbuk.
Ai njëherit ka bërë të ditur se është duke punuar vazhdimisht me ekipin e tij për procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
GYLTENE SINANI
