Maqedoni
Dashtevski: KShZ-ja mund të funksionojë edhe me gjashtë anëtarë
06.02.2024 14:29
Edhe pse përgatitjet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve kanë filluar për sa i përket përgatitjeve për zgjedhjet...

Edhe pse përgatitjet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve kanë filluar për sa i përket përgatitjeve për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, ky komision akoma është duke funksionuar me 6 anëtarë, ndërsa vendi për anëtarin e 7 po mbetet i zbrazët. Kryetari i këtij institucioni, Aleksandar Dashtevski, ka theksuar se KShZ-ja mund të funksionojë edhe me 6 anëtarë, por se do të ishte mirë që Kuvendi ta përzgjedhë edhe anëtarin e shtatë.
“Ne nuk ndërhyjmë në këtë, sepse është e rregulluar në Kodin Zgjedhor. Ne e lëmë Kuvendin të veprojë dhe të zgjedhë një anëtar. Procedura është në vazhdim e sipër. Do të ishte e dobishme që ne të kishim edhe një anëtar, por nuk është puna jonë të ndërhyjmë në përzgjedhje. Ka ligje dhe ju duhet të veproni sipas ligjit, kështu që nëse ndërhyjmë do të thotë se nuk po veprojmë sipas ligjit.”, - deklaroi kryetari i KShZ-së, Aleksandar Dashtevski.
Xhaferi: Opozita duhet të sigurojë 2/3 e votave
Edhe kryeministri i vendit, Talat Xhaferi, në një deklaratë dhënë për Agjencinë e Lajmeve MIA, ka theksuar se ai është akuzuar shumë nga opozita shqiptare se ka qenë pengesa kryesore, por realisht, ai e ka shtyrë këtë çështje në bazë të mundësive dhe se opozita duhet të sigurojë 80 deputetë për të kaluar kjo çështje në Kuvend.
“Në lidhje me përzgjedhjen e anëtarit të KShZ-së, opozita bëri bujë se gjoja se unë e kam bllokuar përzgjedhjen e anëtarit të 7, por e vërteta është se unë këtë çështje e kam shtyrë aq sa kisha mundësi, por procedurat janë përgjegjësi e Kuvendit, dhe në këtë drejtim nuk duhet të ketë asnjë ndikim nga ndonjë figurë politike që të zgjidhet edhe anëtari i 7-të i KShZ-së, por opozita duhet të ndërtojë komunikim me partitë politike, të cilat kanë vota në Kuvend, sepse përzgjedhja e anëtarit bëhet me 2/3 e votave.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Talat Xhaferi.
Sipas përllogaritjeve të KShZ-së, zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale vendit do t’i kushtojnë 17 milionë euro, ndërsa më tepër se gjysma prej tyre apo rreth 10 milionë euro shteti do të duhet të ndajë për reklamim parazgjedhor të partive.
FITIM KRYEZIU
