Maqedoni

Punonjësit në FSSh në grevë, qytetarët shprehen të revoltuar

06.02.2024 14:47

Erdhën, por u kthyen pa mbaruar punë...

Erdhën, por u kthyen pa mbaruar punë. Përveç se i ndanë hallet e tyre me gazetarët, ata nuk morën shërbimin e duhur. Kështu ishte sot pamja para Fondit për Sigurim Shëndetësor në Shkup. Dhjetëra qytetarë me dokumente në dorë u kthyen pasi panë se të punësuarit kanë hyrë në ditën e dytë të grevës së tyre. Të punësuarit e fondit të pakënaqur,  njësitë rajonale të fondit punojnë vetëm me nga një sportel, ndërsa qytetarët janë të revoltuar dhe të zënë në befasi.
 
“Grevë!? Çfarë greve, se duhet të dorëzoj dokumentacionet e të punësuarve që janë nëpër pushime mjekësore, respektivisht për nënat që janë në pushim të lindjes. Sinqerisht nuk jam në rrjedha, nuk e di se çfarë po ndodh.”, - tha një qytetare.
 
“Jo, nuk mbarova punë. Duhej mamit tim t’ia vazhdoj sigurimin shëndetësor, por nuk mbarova punë dhe njëherit duhej t’i procedoj recetat e mjekut amë për t’i marr barnat që janë të domosdoshme për shëndetin e saj, por këtu nuk më pranuan.”, - tha një qytetar. 
 
“Nga Fondi Pensional më thanë të vij këtu, por e shoh se është e mbyllur. Unë pata punë këtu për të rregulluar librezën time shëndetësore dhe e kam pak si urgjent.”, - u shpreh një qytetare tjetër.
 
Greva është një masë jopopullore, por në këtë periudhë është më se domosdoshme për ta realizuar, thotë kryetari i Sindikatës së Fondit për Sigurim Shëndetësor, Branko Axhigogov. Të punësuarit nuk do të heqin dorë nga kjo grevë, derisa nuk fitojnë “betejën”, pagat e tyre të mos ulen, respektivisht të marrin pagat e tyre njëjtë, siç kanë marrë në muajin dhjetor. Sportelet e Fondit për Sigurim Shëndetësor po punojnë vetëm për raste urgjente, sqaron Axhigogov.  
 
“Kur bëhet fjalë për fëmijët të cilët duhet të regjistrohen për të fituar sigurimin shëndetësor sportelet po punojnë për ta, dhe këta persona marrin shërbimin e duhur. Kur bëhet fjalë për personat e hospitalizuar apo të tjerët të cilat duhet të hospitalizohen dhe nuk e kanë të rregulluar statusin e sigurimit shëndetësor, sportelet edhe për këtë kategori po punojnë, kurimet urgjente jashtë vendit, po ashtu si dhe komisionet mjekësore në 30 qytete ku aprovohen ose jo pushimet mjekësore edhe ata funksionojnë pa ndërprerje.”, - deklaroi kryetari i Sindikatës së Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Branko Axhigogov.
 
Grevën e të punësuarve e mbështet edhe ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, i cili thotë se po angazhohet për rritjen e pagave për të gjithë të punësuarit shëndetësor.
 
“Unë i përkrah të gjitha grevat që ndodhin. Ajo është një e drejtë e shenjtë që e garanton Kushtetuta e RMV-së. Unë gjithmonë kam qenë me punonjësit shëndetësorë. Ju e dini dhe keni qenë dëshmitarë që për pesë muaj unë kam arritur në mandatin tim për dy herë me radhë t’i rris rrogat në shëndetësinë publike, që nuk është punë e vogël, si edhe një regres që ka qenë.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
 
Për grevën në Fondin e Sigurimit Shëndetësor, kryeministri Talat Xhaferi mbajti një takim koordinues me përfaqësuesit e institucioneve në të cilin u shqyrtuan shkaqet për uljen e të ardhurave të të punësuarve. Të punësuarit e FSSh-së kërkuan që në seancën e ardhshme qeveritare urgjentisht të tërhiqet propozim-vendimi për uljen e pagave të tyre për 21%. 
 
REXHEP QAMILI