Maqedoni

Lëvizja Antibixhoz: Deputetët të mbështesin ligjin për lojërat e fatit

06.02.2024 15:05

Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut të mërkurën pritet të votojnë ligjin për lojërat e fatit...

Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut të mërkurën pritet të votojnë ligjin për lojërat e fatit, ku të njëjtat me ligjin e ri duhet të jenë 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme. Nga Lëvizja Antibixhoz thonë se ky ligj nuk i plotëson kërkesat e tyre, por nga diku duhet të fillohet që të arrihet qëllimi final.
 
“Ky ligj që duhet të kalojë nesër në Kuvendin e Maqedonisë së veriut, nuk i plotëson kërkesat e LAB-it, pasi kërkesa jonë është për mbyllje të tërësishme të lojërave të fatit. Ne ju bëjmë apele edhe deputetëve të Maqedonisë së Veriut, mos të ngurojnë nesër, por ta votojnë këtë ligj, pasi është një nismë ku do të fillojë me 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme dhe në fund do të mbarojë me mbylljen e lojërave të fatit.”, - deklaroi Jushi Emurllahu nga Lëvizja Antibixhoz.
 
Nëse ligji nuk kalon të mërkurën, Lëvizja Antibixhoz, paralajmëroi protesta të dhunshme dhe bllokim të procesit zgjedhor ditën e zgjedhjeve.
 
“Në qoftë se ky ligj nuk do të kalojë, ne do të detyrohemi të dalim në protesta, do të bllokojmë shtetin, do të bllokojmë edhe ditën e zgjedhjeve që mos mund të zhvillohen zgjedhjet në mënyrë të rregullt.”, - theksoi Jushi Emurllahu nga Lëvizja Antibixhoz.
 
Me ligjin e ri që pritet të votohet  të mërkurën në Kuvend vihet në dukje nevoja e forcimit të rregullave të nevojshme për dhënien e licencave, si dhe saktësimi se një shoqëri tregtare me një licencë organizon vetëm një lloj loje fati dhe të njëjtat duhet të jenë 500 metra larg shkollave, edhe pse në ligjin e propozuar nga LAB-i kërkonin që lojërat e fatit të jenë larg edhe objekteve të kultit dhe objekteve kulturore, por kjo kërkesë nuk është përkrahur nga institucionet.
 
VISAR SADIKI