Maqedoni

ASh-ja me dy kuvende të ndara brenda një jave, Taravari mban kuvend të enjten, Sela të shtunën

06.02.2024 15:20

Vazhdojnë të thellohen ndasitë në Aleancën për Shqiptarët...

Vazhdojnë të thellohen ndasitë në Aleancën për Shqiptarët. Këtë javë kjo parti do të organizojë dy kuvende partiake të ndara. Me 85 nënshkrime të grumbulluara nga kuvendarët, përkrahësit e kryetarit të ASh-së, Arben Taravari, do të mbajnë të enjten kuvendin e partisë në Kumanovë, ndërkohë që një kuvend të partisë për të shtunën e ka thirrur edhe kryetari i kuvendit të kësaj partie, Ziadin Sela. 

Komisioni kadrovik i ASh-së propozon shkarkimin e Mexhitit dhe Aliut
 
Ndërkohë Komisioni kadrovik pranë ASh-së ka vendosur t’i propozojë kryeministrit, Talat Xhaferi, shkarkimin e dy ministrave që janë përkrahës të Taravarit.   
 
“Komisioni kadrovik i Aleancës për Shqiptarët, i përbërë nga 7 anëtarë, si i vetmi organ i ASh-së për çështje kadrovike, me shumicë prej 5 votash, vendosi t'i propozojë kryeministrit shkarkimin e ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe ministrin e Shëndetësisë. Ky vendim u soll pasi përmes fuqisë së funksionit ministër, por pa poste partiake, dy ministrat kryejnë veprime që bien në kundërshtim me Kodin Etik, përfshirë shantazhet dhe presionet ndaj anëtarëve të ASh-së dhe të punësuarve, si dhe koketimin e sotshëm publik me VMRO-DPMNE-në, duke i shkuar në zyrë ministrit të saj.”, njoftojnë nga ASh-ja, krahu i Ziadin Selës.  
 
Xhaferi: Ministrat e ASh-së, a i përkasin Qeverisë?
 
I pyetur për ndasitë në Aleancën për Shqiptarët dhe për ndikimin e mundshëm të kësaj gjendjeje në përbërjen qeverisëse, kryeministri teknik, Talat Xhaferi, thotë se në rast se tërhiqet ndonjë ministër nga ASh-ja, do të propozojë emër të ri. 
 
“Kompetenca ime në situata të tilla është që të dal para kuvendit me propozime të tjera. Unë nuk jam politikan fejsbuku, nuk jam kryeministër që qeveris sipas deklaratave dhe aktiviteteve në fejsbuk. Unë jam kryeministër i kësaj qeverie, për të cilën kam propozuar një përbërje, prandaj anëtarët e qeverisë duhet të deklarohen zyrtarisht në një situatë kur kanë pikëpamje të kundërta, të deklarohen në vijë institucionale, a kanë ndjenja që i përkasin kësaj përbërjeje ose jo!?”, - deklaroi kryeministri teknik, Talat Xhaferi.
 
Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, nuk dha një përgjigje konkrete lidhur me këtë pyetje të kryeministrit, por vetëm shkurtimisht tha se ai preferon të merret ekskluzivisht vetëm me politikat shëndetësore. 
 
“Unë nuk parapëlqej të merrem me këto tema, unë me të vërtetë nuk i di edhe rrjedhojat e partisë, nuk jam i dhënë pas këtyre punëve. Ajo çfarë më intereson si mjek, si profesionist, unë merrem me shëndetësinë, për gjithçka tjetër ju lutem kontaktojeni Taravarin, do të jeni të informuar për gjithçka.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. 
 
Këto zhvillime në Aleancën për Shqiptarët vijnë pasi kryetari i ASh-së, Arben Taravari, bëri të ditur se mendimi i tij është që partia t'i bashkohet opozitës shqiptare në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Për këtë vendim ai ka kërkuar edhe mbështetjen e kuvendit qendror. 
 
ERSAN PAJAZITI