Maqedoni

Ndërrimi i dokumenteve personale, MPB: Nga 7 shkurti vetëm me termin të caktuar

06.02.2024 15:42

6 shkurti, dita e fundit ku qytetarët mund të fotografoheshin pa termine për nxjerrjen e dokumenteve...

6 shkurti, dita e fundit ku qytetarët mund të fotografoheshin pa termine për nxjerrjen e dokumenteve personale në stacionin policor “Prolet”, ndërkaq nga dita e mërkurë vetëm me termin të caktuar paraprakisht, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme. Sipas këtij dikasteri, kjo bëhet me qëllim që të vihet një rend dhe qytetarët t'u shmangen pritjeve dhe turmave. Sipas MPB-së, nga dita e mërkurë brenda stacionit “Prolet” do të funksionojnë 14 stacione bazë, por me termin paraprak,  ku qytetarët do të fotografohen nga e hëna deri të shtunën, ndërsa nga 12 shkurti do të vendoset edhe ndërrimi i dytë për fotografim. Ndërkohë qytetarët akoma të grumbulluar në këtë pikë stacioni për nxjerrjen e dokumenteve personale me emrin e ri kushtetues. Ankohen për pamundësinë për të caktuar termin përmes linjës telefonike.
 
“Me telefon assesi s’mund të caktojmë termin. Në shtëpi kam fëmijë me paralizë cerebrale, por duhet të pres.”, - u shpreh një qytetare.
 
“Duhet të punojnë më shumë sportele. Isha të premten, nga mëngjesi deri në 12:00 punuan 10 sportele, pastaj nuk pati fotografues.”, - u shpreh një qytetare.
 
E ndërkohë nga MPB-ja sqarojnë mënyrën se si do të lehtësohet caktimi i terminit për fotografim përmes telefonit.
 
“Caktimin e terminit në MPB e realizon firma private që ka fituar tenderin dhe na është thënë se do të përforcohen pozicionet edhe në këtë firmë në mënyrë që të mundësohet pranimi i sa më shumë thirrjeve, faktikisht t’u caktohet termine për fotografim të dokumentit personal.”, - theksoi zëdhënësi i MPB-së, Toni Angelovski. 
 
Përfaqësitë diplomatike, të mobilizuar për dhënien e dokumenteve
 
Edhe përfaqësitë diplomatike konsulare janë mjaft të angazhuara në dhënien e dokumenteve apo fletëve të udhëtimit për t’u kthyer në vendlindje për të rregulluar më pas dokumentet. Nga ambasada në Berlin, ashtu si edhe në përfaqësitë diplomatike në Bon dhe Minhen, kryhen rreth 200 fotografime në ditë, ndërsa jepen rreth 150 dokumente të gatshme dhe 40 fletudhëtime.
 
“Punojmë me të gjitha kapacitetet teknike dhe njerëzore në dispozicion, madje edhe jashtë orarit të punës, me qëllim që të përpunojmë të gjitha kërkesat që vijnë tek ne. Apelojmë te qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët qëndrojnë në Gjermani dhe deri më 12 shkurt nuk kanë rregulluar pasaportë të re të mund të kthehen në vend me fletudhëtim.”, - theksoi Rumena Restoroska nga Ambasada në Berlin.
 
Problem më të madh kanë qytetarët e vendit, të cilët ndodhen në shtetet ku nuk ka përfaqësi diplomatike. Atyre u duhet të udhëtojnë në shtete të treta, ku përfaqësitë diplomatike të vendit i mbulojnë ato shtete, siç është rasti me Irlandën prej ku duhet të udhëtohet në Angli.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU