Botë
Bisedimet për armëpushim po vazhdojnë, situata në terren po përshkallëzohet
06.02.2024 16:25
Armëpushimi në Gaza është në fokus të vizitës së sekretarit amerikan të shtetit, Blinken...

Armëpushimi në Gaza është në fokus të vizitës së sekretarit amerikan të shtetit, Blinken, në Lindjen e Mesme. Pas Arabisë Saudite, ai vazhdoi bisedimet me presidentin egjiptian, Al-Sisi. Në të njëjtën kohë, Jemeni ndryshoi kryeministrin e tij. Ai u zëvendësua nga një njeri i afërt me Arabinë Saudite. Përderisa bisedimet diplomatike po vazhdojnë, nga ana tjetër sulmet e Huthëve vazhduan. U goditën anije amerikane dhe britanike.
“Gjuajtjet ishin të drejtpërdrejta dhe të sakta. Forcat e armatosura të Jemenit do të vazhdojnë operacionet ushtarake kundër të gjitha objektivave të armikut të ShBA-së dhe Britanisë në Detin Arabik dhe të Kuq.”, - deklaroi zëdhënësi ushtarak i Huthëve, Jahja Sari.
Nuk ndalen as raketat e Hezbollahut nga Libani. Në sulmin e fundit, dy ushtarë izraelitë u plagosën. OKB-ja paralajmëron për rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm.
"I bëj thirrje këshillit që të vazhdojë të angazhojë në mënyrë aktive të gjitha palët e interesuara për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe përkeqësimin e tensioneve që minojnë paqen dhe sigurinë rajonale.", - theksoi nënsekretarja e përgjithshme e OKB-së për Çështjet Politike dhe Paqes, Rosemari di Karlo.
Në Rripin e Gazës, situata është e tensionuar. Ofensiva izraelite vazhdon me forcë të plotë. Ministri i Mbrojtjes thekson se lideri i Hamasit është në arrati dhe nuk e komandon më organizatën. Ai bën thirrje për veprim politik në fushatën ushtarake.
“Arritjet ushtarake përfshijnë veprime politike. Vetëm avancimi i alternativës politike do të sigurojë fundin e sundimit të Hamasit. Nuk do të ketë kontroll civil izraelit në Rripin e Gazës, ndërkohë që mbrojtja izraelite ka liri të plotë ushtarake veprimi.”, - u shpreh ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Joav Galant.
Derisa civilët e dëshpëruar presin, aktivistët bllokojnë kalimin Kerem Shalom për të parandaluar hyrjen e ndihmave humanitare në Gazë. Ish-ministri francez, Kolona, do të drejtojë hetimin për skandalin e UNRWA-s.
BELINDA KOKA ADEMI
