Kosovë, Mustafa jep llogari për 100 ditëshin e qeverisë
Kryeministri, Isa Mustafa, ka thënë se 100 ditët e para të qeverisë së tij ishin të vështira...

Kryeministri, Isa Mustafa, ka thënë se 100 ditët e para të qeverisë së tij ishin të vështira, por synimi i qeverisjes është kthimi i besimit tek qytetari.
“E kemi nisur mandatin në një gjendje mjaft të rëndë, e cila është karakterizuar kryesisht me hendekun e moskonstituimit të institucioneve për gjashtë muaj. Me fillimin e grevave të punonjësve të arsimit, shëndetësisë dhe gjyqtarëve, me problemin e buxhetit i cili s’i ka plotësuar të gjitha nevojat, me protestat e organizuara nga opozita, me ballafaqimin e mundësisë së shkuarjes së Kombinatit “Trepça” në likuidim, me grevat e minatorëve e me fluksin e migrimit në dy muajt e parë të këtij viti”- tha Mustafa. “Por, me gjithë këtë besoj se ja kemi dalë të promovojmë një vizion për Kosovën si shtet të pavarur, si shtet demokratik, si shtet i cili duhet të integrohet në strukturat euroatlantike dhe të mbajë miqësi të përhershme me SHBA-të”- tha Mustafa.
Ai theksoi se kjo periudhë kohore po ashtu ka qenë e aprovimit të dokumenteve shumë të rëndësishme, ku ndër to kanë qenë edhe programi qeveritar për katër vitet e ardhshme, plani i implementimit të programit qeveritar e programi kombëtar për reforma ekonomike.
Duke folur rreth çështjes së kalimit të FSK-së në FAK, Mustafa deklaroi se të gjitha përgatitjet, si ato ligjore edhe amendamentet kushtetuese janë gati.
Por, ngecja vjen nga mospërkrahja e disa deputetëve, pasi nevojitet përkrahja e 2/3-ave të deputetëve të Kosovës, që nënkupton që duhet të kemi edhe përkrahjen e komuniteteve joshumicë dhe në rend të parë atyre serbë.
