Përhapje e shpejtë e “kollës së mirë”, Mjekët: Vaksinimi të merret seriozisht
06.02.2024 17:46
Vetëm brenda një dite në vendin tonë...

Vetëm brenda një dite në vendin tonë numri i rasteve të konfirmuara nga kolla e mirë, ka shkuar në dymbëdhjetë, por ky numër shumë shpejt pritet të rritet, thotë kreu i Qendrës për Shëndet Publik, Besim Zeqiri.
Numri më i madh i të prekurve janë raportuar në lagjen Aerodrom. Edhe pse virusi është më i përhapur te nxënësit, foshnjat janë kategoria më e rrezikuar nga Pertusi.
Aktualisht dy foshnje trajtohen në spitalin Kozle dhe një në Klinikën e Fëmijëve–Shkup.
“Kjo sëmundje është shumë ngjitëse dhe e rrezikshme për jetën, sidomos për foshnjat deri në 12 muaj, ku për fat të keq te kjo kategori mund të ketë përfundim fatal ose të lë pasoja të përhershme. Gjithashtu është ngjitëse edhe për moshat shkollore.”, - deklaroi drejtori i Qendrës për Shëndet Publik, dr. Besim Zeqiri.
Vaksinimi është e vetmja preventivë, imuniteti formohet dy javë pas marrjes së vaksinës.
“Ju bëj thirrje të gjithë prindërve që apelet për vaksinim t’i marrin më seriozisht, për çdo sëmundje, sidomos për Pertisusin apo kollën e mirë.”, - theksoi drejtori i Qendrës për Shëndet Publik, dr. Besim Zeqiri.
Kolla e mirë është përhapur në të gjithë rajonin. Situata më alarmante është në Kroaci me mbi 6,000 të infektuar, ndërsa në Serbi janë regjistruar mbi 1,000 raste.
“Nëse vazhdon ky trend i përhapjes së sëmundjes, ka gjasa që deri në fund të vitit të kalojmë numrin rekord prej tridhjetë e tetë rastesh, që e kishim shtatë vite më parë dhe numri i fëmijëve të infektuar me pertusin mund të rritet prej 100 deri në 150, por për dallim vendeve të rajonit që është shënuar numër i lartë i të infektuarve, nuk besoj se në vendin tonë do të arrijë shifra aq të larta.”, - u shpreh dr. Zllate Mehmedoviq nga Komisioni për Sëmundje Infektive.
Sipas ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, situata është nën kontroll të plotë dhe vendimin për shpalljen e epidemisë do ta vendosë Komisioni për Sëmundje Ngjitëse.
“Komisioni për Sëmundje Ngjitëse do të mbajë mbledhje, që ta shohin gjendjen si është në terren dhe aty ka profesionistë të shkëlqyer të cilëve do t’ua lë në dorë të marrin vendimet e mëtejshme. Ajo që mund t’ju them sigurt është që gjendja është nën kontroll të plotë.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
Komisioni për Sëmundje Infektive, gjatë javës do të marrë vendim për gjendjen e Kollës së Mirë, Gripit dhe Kovid 19-tës. (Farije Dauti - Bakiu, TVM2)
