Botë

Komisioni për Reforma Zgjedhore, deputetët e Berishës pamundësuan mbledhjen

06.02.2024 18:10

Për të disatën herë, deputetët e Sali Berishës pamundësuan mbajtjen fizikisht të Komisionit të Reformës Zgjedhore....

Për të disatën herë, deputetët e Sali Berishës pamundësuan mbajtjen fizikisht të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Edhe kësaj here në krye të kaosit qëndroi Flamur Noka e Gazment Bardhi. Ata ndaluan hyrjen në mbledhje të bashkëkryetarit socialist të Komisionit për Reformën e Zgjedhores, ndërsa më herët garda u përplas edhe me mediat. Në këtë kushte, Damian Gjiknuri tha se do të thërrasë mbledhjen onlajn, ndërsa akuzoi dy fraksionet e opozitës se nuk janë të interesuar për ta shtyrë reformën përpara.
 
“S’lanë mundësi për t’u shprehur. Rithemelimi bllokoi hyrjen dhe me këto kushte po pengojnë komisionin. Ne përsëri do të njoftojmë një mbledhje tjetër, por onlajn. Të dyja palët e opozitës që duhet të jenë të parat e interesuara, nuk duan ta çojnë para këtë proces. Mazhoranca komode dhe me këtë kod. Ata i drejtoj të gjithë njësoj, të gjithë bashkëkryetarë.”, - theksoi Damian Gjiknuri.
 
Por demokrati Oerd Bylykbashi tha se një reformë pa konsensus nuk i intereson askujt veç kryeministrit Edi Rama.
 
“Rama nuk i do, sepse do një reformë zgjedhore që ta mbyllë me atë që ka bërë pazare, me Bashën. Nuk mundet në Komisionin e Reformës Zgjedhore që ta përcaktojë Edi Rama se kush është opozita. Komisioni në të shkuarën ka qenë kanal që ka shfryrë krizën politike. Rama kërkon krizë shtesë, sepse ka hall për skandalet që po i plasin, nuk do që vëmendja të jetë në skandale si Porti i Durrësit dhe Inceneratori. Me kërkesë të atyre që i ka emëruar në krye të opozitës, nuk mundësohet mbajtja e mbledhjes.”, - u shpreh Oerd Bylykbashi.
 
Për shkak të kaosit të opozitës, edhe komisionet parlamentare prej disa javësh po mbahen onlajn.
 
LULJETA NDOKA