Kurti për heqjen e dinarit: E kuptojmë nevojën e një periudhe tranzicioni

07.02.2024 14:07

Zyra e kryeministrit të Kosovës e mbështet plotësisht...

Zyra e kryeministrit të Kosovës e mbështet plotësisht pavarësinë e Bankës Qendrore dhe profesionalizmin me të cilin ajo kryen detyrat e veta, por e kupton se një periudhë tranzicioni për çështjen e dinarit është e nevojshme, ka deklaruar kryeministri, Albin Kurti.

Në një deklaratë me shkrim, Kurti thekson se ndryshimi gjithmonë sjell vështirësi, edhe nëse ndryshimet forcojnë demokracinë.

“Një periudhë tranzicioni kurrë nuk duhet të keqinterpretohet si sulm apo ndarje e thelluar. Dhe pasiguria e shkurtër që haset gjatë kësaj periudhe nuk duhet të shfrytëzohet për përfitimin politik. Kjo periudhë ndryshimi bëhet më e vështirë jo përmes zërave të komunitetit serb këtu, por përmes nxitjes së frikësimit, kur ne, në fakt, do të duhej të ushtronim maturi dhe qetësi. Ne e kuptojmë se mënyra se si kjo çështje është komunikuar mund të ishte më e qartë, për të shmangur konfuzion. Megjithëse rregullorja hyri në fuqi më 1 shkurt, e kuptojmë se një periudhë tranzicioni është e nevojshme.”, është shprehur Kurti, duke shtuar se kjo rregullore nuk e targeton dinarin e Serbisë.

Rashiq: BQK-ja do të kontaktojë BQS-në për dinarin

Ministri serb për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, e falënderon Kurtin për mirëkuptimin dhe gjetjen e mënyrës për implementimin dhe zgjidhjen sa i përket përdorimit të dinarit. 

Rashiq tha se ekzistojnë dy mënyra sa i përket përdorimit të dinarit. E para është që Banka Qendrore e Serbisë dhe Kosovës të zhvillojnë mes vete një lloj transaksioni. Nëse kjo nuk është e zbatueshme, atëherë kemi edhe mënyrën tjetër. Bankat të cilat kanë përfaqësi në Kosovë dhe në Serbi ta bëjnë kthimin e dinarit direkt në euro, thekson Rashiq.   

“Unë jam optimist se nëse ka gatishmëri nga pala tjetër jam i sigurt se deri në fund të shkurtit krejt këto pengesa t’i heqim. Në atë rast do të kishim pasur një vonesë prej 15 deri në 20 ditësh që është e përballueshme për qytetarët.”, - theksoi ministri në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq.

Rashiq, po ashtu ka bërë të ditur se Banka Qendrore e Kosovës po shpreh gatishmëri për periudhë tranzitore deri në fund të shkurtit. (Gyltene Sinani, TVM2)