Përplasjet brenda ASh-së, shkarkohen përkrahësit e Taravarit në ekzekutiv
Kuvendarët e ASh-së kanë marrë dy ftesa...

Kuvendarët e ASh-së kanë marrë dy ftesa për pjesëmarrje në dy Kuvendet e thirrura partiakë. Njëra ftesë u ka shkuar nga kryetari i partisë, Arben Taravarit, për Kuvendin e së enjtes në Kumanovë dhe tjetra ftesë nga kryetari i Kuvendit, Ziadin Sela, për kuvendin që do të mbahet të shtunën në Shkup.
Nga krahu i Selës, me anë të një reagimi kanë vlerësuar Kuvendin e Kumanovës si TUBIM dhe TAKIM me Taravarin.
“Ajo që duam t'ju bëjmë me dije është që askush nuk duhet të bëhet pre e dezinformatave se mbahet Kuvendi i Partisë, sepse siç do të konkludoni vet edhe nga ftesa, bëhet fjalë për tubim dhe takim. Kuvendi i Partisë konform statutit të partisë është caktuar për të shtunën në resort Bushi në ora 13.00.”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga ASh-ja, krahu i Ziadin Selës.
Por, nga ekipi i Taravarit thonë se kanë siguruar shumicën e kuvendarëve për Kuvendin e së enjtes.
“Në Kumanovë të enjten kuvendarët do të konfirmojnë mbështetjen për kryetarin Arben Taravarin dhe qëndrimin për t’u bërë pjesë e koalicionit opozitar.”, thonë nga ASh-ja, krahu i Taravarit.
Pas mosmarrëveshjeve brenda partiake kanë filluar edhe shkarkimet e funksionarëve që janë përkrahës të Taravarit. Qeveria ka vendosur t’i rekomandojë Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë Aksionare shtetërore për qarkullim postar “Posta e Maqedonisë së Veriut” – Shkup që ta shkarkojë Bujare Abazin, nga posti drejtori i përgjithshëm dhe në vend të saj e propozon, Idri Istrefin.
Po ashtu është shkarkuar nga detyra edhe Gazmend Abdija, ushtrues detyre drejtor i Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovim të Eksportit të RMV-së, kanë bërë të ditur nga Qeveria. Po ashtu Komisioni kadrovik i ka propozuar kryeministrit Talat Xhaferi, shkarkimin e dy ministrave – atë të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe të Administratës, Azir Aliu, të cilët u radhitën në krahun e Taravarit.
Ndërkohë përkrahësit e Taravarit njoftuan se Kuvendi i degës ka shkarkuar kryetarin e degës së Kumanovës, Arsim Hasani, por kjo u demantua nga ky i fundit dhe përkrahësit e Ziadin Selës. (Florije Kamberi, TVM2)
