Maqedoni

Bigman për kongresin tematik të BDI-së

01.04.2015 14:40

Asnjë shtet nuk mund të mbijetojë vetëm në këtë botë, në veçanti një shtet i vogël siç është Maqedonia, thotë ish-ambasadori i NATO-s në Maqedoni...

Asnjë shtet nuk mund të mbijetojë vetëm në këtë botë, në veçanti një shtet i vogël siç është Maqedonia, thotë ish-ambasadori i NATO-s në Maqedoni, diplomati holandez, Nikollas Bigman.
 
Në tekstin e tij të shkruar si kontribut për kongresin tematik të BDI-së, të mbajtur fundjavën e kaluar, Bigman thekson se marrëdhëniet e mira me fqinjët është parakusht i domosdoshëm për proceset integruese të vendit.
 
“Integrimi i vendit në një organizatë të fuqishme politike, ekonomike dhe të sigurisë është thelbësore për Maqedoninë dhe kjo duhet bërë me qëllim që ajo të kuptohet në mënyrë serioze në aspektin ndërkombëtar dhe që të ketë besimin e investitorëve. Nëse për këtë gjë duhet paguar një çmim, më konkretisht në aspektin e emrit të shtetit, një çmim i arsyeshëm duhet me të vërtetë të paguhet. Krenaria kombëtare mundet dhe duhet të bazohet në gjëra të tjera. Mbajtja e emrit të tanishëm vazhdon ta kushtojë vendin   jashtëzakonisht shumë shtrenjtë”- shkruan mes tjerash në kontributin e tij diplomati Bigman, për të shtuar se pritja për presione vendimtare, të cilat do të mund të dalin nga pala greke, do të mund të jetë një veprim i kotë.
 
Pas zgjidhjes së kontestit me emrin do të vijojnë negociatat me NATO-n dhe BE-në. Sipas Bigmanit, bisedimet me Bashkimin Evropian do të duhet të krijojnë një reputacion në shume sfera, në sferën e sundimit të ligjit, demokracisë, të drejtave njerëzore, gjyqësisë, mënjanimit të korrupsionit dhe nepotizmit etj.
 
Sipas diplomatit Bigman, fillimi eventual i negociatave do të jetë vetëm hapi i parë në rrugën e anëtarësimit.
 
Lidhur me komunitetet, ai shkruan se BDI duhet të kuptojë që shqiptarët, edhe pse në numër më të madh, nuk janë grupi i vetëm i tillë. Trajtimi i barabartë duhet të zgjerohet edhe në raport me komunitetet tjera.
 
Shqiptarët, të cilët kanë përjetuar eksperiencën e tyre me diskriminimin, mund të luajnë një rol udhëheqës në mbrojtjen e të drejtave të tyre.
 
Maqedonia u takon në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarëve, ka shtuar Bigman. Ai vlerëson lartë personalitetin e liderit të BDI-së, Ali Ahmetit, duke shtuar se i njëjti gjithmonë ka pasur një vizion dhe optimizëm të madh për vendin që nga themelimi i BDI-së. 
 
“Unë, tanimë ka më tepër se dhjetë vite që jam larg nga vendi juaj, por besoj se qasja e tij edhe më tutje mbetet e pandryshuar. Maqedonia është një vend me fat që e ka Ali Ahmetin”- thotë Bigman.