Maqedoni

Qeveri, formohet Këshilli për koordinim me NATO-n

07.02.2024 15:58

Qeveria promovoi Këshillin për koordinimin e aktiviteteve me NATO-n...

Qeveria promovoi Këshillin për koordinimin e aktiviteteve me NATO-n, me qëllim që, siç tha kreu i ekzekutivit, Talat Xhaferi, të forcohet rezistenca ndaj sfidave të sigurisë, si dhe të pozicionohet shteti në arenën ndërkombëtare në fushën e ruajtjes së stabilitetit dhe sigurisë.
 
“Një nga karakteristikat kryesore që na bën unikat është padyshim kapaciteti ynë për themelimin e partneriteteve dhe bashkëpunimeve. Kjo del nga natyrshmëria jonë si vend multientik dhe kjo pasqyrohet edhe në marrëdhëniet që i ndërtojmë në Ballkan, por edhe në kuadër të Aleancës. Veprimi ynë si ind lidhës që lidh demokracitë  dhe idetë  progresive në ndërtimin e një rajoni që avancon çdoherë drejt Perëndimit.”, - deklaroi kryetari i Qeverisë, Talat Xhaferi. 
 
Duke numëruar beneficionet që erdhën nga anëtarësimi në paktin veri-atlantik dhe obligimet dhe përgjegjësitë që po i zbaton shteti në kuadër të ombrellës së aleancës, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, theksoi rreziqet që ende janë aktuale, sidomos ato që vijnë nga Rusia.
 
“Mendoj se nuk duhet të nënvlerësohet rreziku edhe përkundër anëtarësimit tonë në NATO. E them me vite dhe e ka thënë edhe një ish-sekretar shtetëror amerikan se linja e frontit mes Lindjes dhe Perëndimit kalon nëpër Ballkan. Vlerësojmë se ekziston  rrezik serioz nga rritja e ndikimit rus edhe në shtetin tonë.”, - theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
 
Mbështetës kryesor i formimit të këtij këshilli është Mbretëria e Bashkuar. Ambasadori Metju Loson potencoi bashkëpunimin mes vendit tonë dhe Mbretërisë së Bashkuar në operacionet e NATO-s.
 
“Punojmë intensivisht me aleatët  e NATO-s dhe me ShBA-në që të trajnojmë një batalion që do të përgatitet për punë në vitin 2026 -2027 dhe me këtë rast do t’u ndihmojmë që të vendosni koordinim ushtarako-qytetar që do të funksionojë në kuadër të MPJ-së. Po presim edhe zgjerimin e aktiviteteve të tilla me Ministrinë e Mbrojtjes.”, - u shpreh ambasadori i Britanisë në RMV, Metju Loson. 
 
Formimi i Këshillit për koordinimin e aktiviteteve me NATO-n korrespondon me katër vjetorin tonë në NATO dhe 75 vjetorin e themelimit të vet NATO-s. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU