Maqedoni

Pezullohet greva në FSSH, u siguruan pagat për të punësuarit deri në maj

07.02.2024 16:54

Greva e të punësuarve në Fondin për Sigurim Shëndetësor u ndërpre...

Greva e të punësuarve në Fondin për Sigurim Shëndetësor u ndërpre. Të punësuarit u kthyen në vendet e tyre të punës, ndërsa të gjitha sportelet me urdhër u hapën pas orës 10 dhe janë në shërbim të plotë të qytetarëve. Ky vendim erdhi si rezultat i vendimit të Qeverisë që pagat e të punësuarve të mos ulen, respektivisht të mbetën të njëjta për ta deri më 31 maj. Këshilli Drejtues i FSSH-së ndërkohë miratoi vlerën e pikave me të cilën pagat e të punësuarve do të mbetën të njëjta, siç kanë marrë në dhjetor, me rritje prej 15 për qind. Me këtë, tani hapet rruga për t’i kryer edhe pagesat e rrogave për rreth 900 të punësuar në fondin, thanë përfaqësuesit e Fondit për Sigurim Shëndetësor, të Sindikatës dhe Ministrisë së Shëndetësisë, të cilat bashkërisht përshëndetën vendimin e Qeverisë. 
 
“Pagat e të punësuarve në FSSh nuk do të ndryshojnë dhe do të mbeten të njëjta në përputhje me buxhetin e miratuar të fondit për 2024. Me këtë vendim të Qeverisë, anëtarëve të Këshillit Drejtues të FSSh-së i’u rekomandua që të miratojë vendim me të cilën i mbron të drejtat e të punësuarve e që ka të bëjë me vlerën e fundit të pikave me të cilën do përllogariten pagat e të punësuarve edhe gjatë muajit në vazhdim.”, - deklaroi zëvendësministrja e Shëndetësisë, Maja Manoleva.
 
“Ne sot arritëm që ta mbajmë rrogën e dhjetorit njëjtë, gjegjësisht rrogën me 15% rritje, e cila do të vazhdojë deri më 31 maj, për të cilën do të kemi vlerësim të mëtutjeshëm pas 31 majit. I falënderoj Qeverisë, veçanërisht kryeministrin, Talat Xhaferi, me të cilën arritëm të dëgjohemi, dakordohemi dhe t’ia shprehim të gjithat nevojat tona për funksionim të këtij institucioni, i cili duhet të jetë i përgatitur mirë për reformat e nevojshme drejt rrugës për në BE.”, - theksoi drejtori i FSSh-së, Asaf Abduramani.
 
“Me vendimin e fundit të Qeverisë përfundoi kriza që patën në institucionin tonë. Greva u pezullua, u hapën njësitë rajonale të fondit dhe filluan me punë të gjitha sportelet në vend.”, - u shpreh kryetari i Sindikatës së Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Branko Axhigogov. 
 
Pas skadimit të vendimit të Qeverisë më 31 maj, përfaqësuesit e FSSh-së shpresojnë se përmes rebalancit të buxhetit do të sigurohen mjetet edhe për vazhdimin e këtyre pagave në të njëjtën vlerë deri në fund të këtij viti. Buxheti vjetor i FSSh-së është mbi 46 miliardë denarë. 
 
REXHEP QAMILI