Izraeli sulmon Sirinë, shënohen viktima në civilë

07.02.2024 17:35

Raketat izraelite goditën qytetin sirian Homs....

Raketat izraelite goditën qytetin sirian Homs, prej ku njoftohet edhe për viktima civile. Sulmet janë kryer në disa pika të ushtrisë siriane dhe një bazë ajrore dhe dyshohet se ka lidhje me Iranin.

Zyrtarët ushtarakë të Sirisë njoftuan se janë rrëzuar disa raketa, por edhe se ka viktima, mes tyre edhe civilë.

Në të njëjtën kohë, sekretari amerikan i shtetit zhvilloi bisedime në Tel Aviv me kryeministrin Netanjahu, pasi Katari njoftoi se Hamasi iu përgjigj pozitivisht propozimit ndërkombëtar për një armëpushim në Rripin e Gazës. Grupi terrorist propozon një armëpushim trefazor për 135 ditë që do t'i jepte fund luftës.

"Unë do ta diskutoj atë me qeverinë e Izraelit. Ka ende shumë punë për të bërë. Ne besojmë se një marrëveshje është e mundur dhe thelbësore dhe ne do të vazhdojmë pa u lodhur ta arrijmë atë.", - deklaroi sekretari i shtetit i ShBA-së, Antoni Blinken.

"Përgjigja nga Hamasi përfshin disa komente, por në përgjithësi është pozitive. Për shkak të ndjeshmërisë, ne nuk mund të hyjmë në detaje.”, - theksoi kryeministri i Katarit, Sheik Mohamed Bin Abdulrahman Al-Thani.

Kabineti ushtarak i Izraelit tha më parë se një marrëveshje e mundshme nuk do të ndikonte në heqjen e kërcënimit nga Hamasi.

“Kthimi i pengjeve është pjesë integrale e fitores dhe nuk zëvendëson detyrën tonë për të hequr kërcënimin e Hamasit. Nëse arrijmë një marrëveshje, do të jetë një hap në rrugën drejt fitores.”, - u shpreh ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Beni Gantz.

Ndërkohë që negociatat intensive vazhdojnë, po ashtu vazhdojnë edhe luftimet në terren, duke e përkeqësuar edhe krizën humanitare. Më shumë se gjysmë milioni njerëz përballen me urinë, kanë thënë organizatat humanitare. (Fitore Demolli, TVM2)