Maqedoni
Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, pritet qartësimi i koalicionimeve mes partive
08.02.2024 14:38
Vazhdojnë përgatitjet e partive politike për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare...

Vazhdojnë përgatitjet e partive politike për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja janë deklaruar se do të dalin me kandidat për president, ndërsa të njëjtën gjë e kanë konfirmuar edhe nga blloku i partive opozitare shqiptare.
Deri më tani një qëndrim të tillë nuk e kanë bërë publike nga BDI-ja, duke i lënë kështu të hapura të gjitha mundësitë. Ndërkohë më delikate do të jenë zgjedhjet parlamentare, sepse partitë politike duhet të bisedojnë fillimisht për çështjen e koalicionimeve, e më pas t’i definojnë edhe listat për deputetë në të gjitha 6 njësitë zgjedhore.
Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se do të shkojnë në zgjedhje me partnerët e koalicionit, ndërsa kryetari i LSDM-së nuk përjashton mundësinë e krijimit të një koalicioni të gjatë, përfshirë edhe partitë politike shqiptare.
“Pjesëmarrja në zgjedhje është vendim të cilën duhet ta marrin organet e partisë se a do të shkojmë me lista të përbashkëta apo do të shkohet me lista, të cilat janë me partnerët tradicional të koalicionit dhe këtë vendim duhet ta marrin në ditët në vazhdim partitë politike. Por, një është e qartë nëse në fund të ditës ne do të kemi dy blloqe, ku njëri bllok do të jetë për integrim në Bashkimin Evropian, ndërsa blloku tjetër do të jetë për izolimin e vendit.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.
Nga BDI-ja ftojnë për krijimin e Frontit Pro-Evropian, ndërsa nga LEN-i kanë konfirmuar koalicionimin me Lidhjen Demokratike, Alternativën dhe Lëvizjen “Besa”. Pas takimit të sotëm pritet të konfirmohet edhe bashkimi i Aleancës për Shqiptarët, por krahu i Zijadin Selës këtë vendim të kryetarit të partisë nuk e përkrahin.
“Tanimë të gjitha partitë politike kanë dalluar me parapërgatitjet, siç do parti tjetër për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare dhe në Kumanovë do të mbajmë edhe kuvendin e partisë ASh, por edhe do ta marrim edhe drejtimin se si do të shkohet në zgjedhjet parlamentare dhe me cilin kandidat për president, por edhe atë se me cilin bllok do të shkojmë me opozitën apo me cilin variant do të vendosin kuvendarët e ASh-së. ASh-ja ka organet e saja legjitime të zgjedhura në Kongres dhe ka kryetarin legjitim z.Taravarin.”, - theksoi Fatmir Mexhiti nga ASh-ja.
Partita Demokratike Evropiane e Arjanit Hoxhës dhe Lëvizja Populli e deputetit Skender Rexhepi-Zejdi pritet që të deklarohen javën e ardhshme.
FITIM KRYEZIU
