Maqedoni
Fondi i Sigurimit Shëndetësor, masa lehtësuese për sigurim shëndetësor
01.04.2015 15:29
Personat e papunë, të cilët për herë të parë paraqiten në Fondin Shëndetësor...

Personat e papunë, të cilët për herë të parë paraqiten në Fondin Shëndetësor, për të fituar të drejtën e sigurimit shëndetësor nuk është e nevojshme të parashtrojnë edhe vërtetim nga Agjencia për Punësim se janë persona të papunë.
Drejtori i Fondit Shëndetësor, Orhan Ramadani, thotë se tani kjo procedurë kalohet më lehtë vetëm përmes një kërkese.
Gjithashtu edhe personat me të ardhura të vogla, që kanë vazhdimësi në paraqitjet e tyre për sigurim shëndetësor, nuk kanë nevoje për riregjistrim, pasi të dhënat për ta sigurohen ne formë elektronike nga Drejtoria e të Hyrave Publike. Kjo masë përfshin 479 mijë e 739 persona.
“Atë do të mund ta bëjmë vetëm me një kërkesë, ku në kërkesë duhet të bëhet aplikimi për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, kopje të certifikatës së lindjes apo të kurorëzimit dhe kopje nga letërnjoftimi me pëlqim të palës, si dhe libreza shëndetësore. E dyta është që sërish t’ju përkujtojmë se lehtësimet në procedurën për regjistrim të personave të papunë, të cilët kanë kontuinitet në sigurim, në të ardhmen nuk do të kenë nevojë të vijnë në sportelet e Fondit për Sigurim Shëndetësor”- deklaroi drejtori i FSSH-së, Orhan Ramadani.
Edhe nga Agjencia e Punësimit sqarojnë se deri te kjo agjenci duhet të paraqiten vetëm personat që kërkojnë aktivisht punë, ndërsa ata që kanë nevojë vetëm për sigurim shëndetësor duhet të paraqiten vetëm te Fondi Shëndetësor.
GYLTENE SINANI
