Maqedoni
Kuvend, vazhdon debati për anëtarin e ri në kushtetuese
08.02.2024 14:54
Deputetët e mazhorancës dhe të opozitës maqedonase sërish u përplasen...

Deputetët e mazhorancës dhe të opozitës maqedonase sërish u përplasen për propozimin e mazhorancës që Ana Pavllova - Daneva të zgjidhet gjykatëse në Gjykatën Kushtetuese.
Në seancën e sotme të Kuvendit, deputetët e VMRO-DPMNE-së assesi nuk u pajtuan se Daneva meriton të zgjedhet gjykatëse në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa deputetët e LSDM-së mbrojnë propozimin e tyre, se Daneva është profesioniste, e cila ka kredibilitet dhe autoritet të kryejë detyrën në Gjykatën Kushtetuese.
“Propozimi që Ana Pavllovska Daneva të jetë gjykatëse në Gjykatën Kushtetuese nuk është asgjë tjetër përveç se ofendim i rëndë ndaj juristëve të rinj dhe të ndershëm, të cilët të ardhmen e tyre e shohin në Gjykatën Kushtetuese. Me propozimin e sotëm, kjo gjë atyre iu është pamundësuar. Pse? Sepse propozimi i sotëm është për të dhënë mbështetje për ish-nënkryetaren dhe deputeten e LSDM-së nga një parti e cila është në nokaut nga populli.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki.
“Kur VMRO-DPMNE-ja flet për depolitizim të gjyqësorit, sinqerisht qytetarët qeshin dhe habiten se si ju flisni për këtë temë duke marrë parasysh se janë kujtimet ende të freskëta për të mos mbajtur mend se si ju i zgjidhnit gjykatësit, përmes fletoreve të disa individëve. E dimë edhe tani se e gjatë është akoma dora e VMRO-DPMNE-së. Ndoshta gabimi ynë i vetëm është, për dallim nga ju, se ne me të vërtetë donim gjyqësori të jetë i pavarur, nuk dëshirojmë të ndërhymë si pushtet në përzgjedhjen dhe funksionimin e kuadrove gjyqësore.”, - theksoi deputetja e LSDM-së, Zhaklina Lazarevska.
REXHEP QAMILI
