Botë

Kuvendi i Tiranës, grupi Berisha-Bardhi përplaset me gardën

08.02.2024 15:12

Aksioni i demokratëve në këtë seancë plenare nuk ishte surprizë...

23 të përjashtuarit e grupit Berisha-Bardhi u përplasën sërish me gardën në përpjekje për t’u futur në sallën e seancave plenare.
 
Ndryshimi i vetëm ishin mjetet, braktisën kapsollat dhe flakadanët për të kaluar tek mielli dhe veza. Ata që arritën të futeshin në sallë sërish tentuan të bllokonin foltoren, ndërsa deputeti Edi Paloka dogji rregulloren e Kuvendit.
 
Ndërsa Lulzim Basha, në përpjekje për t’u distancuar nga aksioni i rithemelimit u fut në sallë 40 minuta më herët dhe u largua vetëm kur mazhoranca rrëzoi dy amendamentet e propozuara prej tij, mes të cilave edhe kërkesa për t’i ofruar 50 milionë euro mbështetje Kosovës për sigurinë.
 
Pasi doli, nga ish-bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, Gazment Bardhi, u akuzua se po ndjek urdhrat e Partisë Socialiste.
 
“Grupi i PS-së kishte shpërndarë një mesazh që deputetët e mazhorancës duhet të paraqiten në seancë në orën 09:00. Ndjej keqardhje që disa deputetë me mandat opozitar i janë përgjigjur këtij urdhri të PS-së.”, - theksoi kreu i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi.
 
Aksioni i rithemelimit nuk përfundoi me mbarimin e seancës. Në dalje, Flamur Noka goditi me vezë makinën e ministrit të brendshëm, Taulant Balla, dhe sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit. 
 
LULJETA NDOKA