Dokumentet personale, MPB: Angazhohemi me kapacitet të plotë
Kanë mbetur edhe katër ditë për ndërrimin e dokumenteve personale...

Kanë mbetur edhe katër ditë për ndërrimin e dokumenteve personale me emrin e ri kushtetues. Sipas MPB-së, deri më tani kanë arritur të japin 1 milion 300 e mijë dokumente udhëtimi, pasaporta me emrin Maqedonia e Veriut, mbi një milion e njëqind mijë janë letërnjoftime dhe mbi 550 mijë leje të vozitjeve.
Edhe përkundër përpjekjeve të dikasterit për të tejkaluar situatën me ndërrimin e dokumenteve, qytetarët e anketuar potencojnë vazhdën e problemeve.
“Jam për patentë shoferin, terminin e kisha për 20 ditë me procedurë të shpejtë. Edhe këtu ka turma dhe prita prej 3 deri 4 orë vetëm për fotografim. Me shërbim të telefonit kam pritur rreth dy orë.”, - u shpreh një qytetar.
“Dy javë luajnë ping-pong me ne, pasaporta është gati, por nuk ka vulë, eja pas tri ditëve. Për dy javë, pesë herë më është dashur të vijë. Prita në S.P. "Prolet" si gjithë të tjerët dhe ja akoma nuk e kanë bërë gati pasaportën, po luajnë me ne. Të shihni lartë se si dhjetë të punësuar rrinë, ndërsa vetëm një punon.”, - theksoi një qytetar tjetër.
“Shumë rrëmujë. Ishim me procedurë të shpejtë, por sërish është katastrofë, jam nga ora tetë këtu, deri më tani në mesditë. Gjithsesi duhet të pritet deri në alivanosje.”, - theksoi një qytetar.
“Prita një orë, kjo është pak specifike se bëhej fjalë për dënim.”, - tha një qytetar tjetër.
Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se janë angazhuar që të mos pritet për caktimin e terminit nëpërmjet shërbimeve telefonike.
Resori në fjalë vazhdimisht furnizohet me formularë në mënyrë që kjo t’u sigurohet të gjithë qytetarëve, thotë zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski. Shqyrtohet mundësia që të hapen edhe pika të tjera për fotografim.
“Këtë shërbim për MPB-në e bën firma private që ka fituar tenderin. Jemi në komunikim me atë firmë, po përforcon kapacitetet dhe ja po shfrytëzoj rastin që t’u bëj thirrje qytetarëve që të mos kërkojnë ata qytetarë që tashmë kanë caktuar termin, sepse që kur them se do të zhvendosen terminet prapa, kemi qytetarët, të cilët pyesin se kur do t’ju zhvendoset termini. Nuk ka nevojë të paraqiten, sepse operatorët e firmës private që i bëjnë shërbimet për ne do t’ju paraqiten qytetarëve që t’u ofrojnë termin të ri. Mendohet për hapjen e pikave shtesë dhe kur të ndodh kjo do t’i informojmë qytetarët me kohë.”, - deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Toni Angelovski.
Pas datës 12 shkurt, dokumentet e vjetra të udhëtimit do të jenë të pavlefshme për përdorim të jashtëm , gjë të cilën e ka kushtëzuar marrëveshja e Prespës. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
