OKB, seancë e jashtëzakonshme për dinarin
Këshilli i Sigurimit i OKB-së...

Këshilli i Sigurimit i OKB-së sonte në Nju Jork do të mbajë seancën e jashtëzakonshme të kërkuar nga Serbia, lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për heqjen e dinarit serb.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar edhe nga shefja e diplomacisë, Donika Gërvalla, do ta përfaqësojnë Kosovën në Këshillin e Sigurimit, kanë bërë të ditur nga Qeveria e Kosovës.
“Kryeministri Kurti pritet të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet sonte në orën 21:00, sipas orës lokale të Kosovës.”, thuhet në njoftimin e lëshuar.
Në këtë mbledhje, Serbia do të përfaqësohet nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Në kërkesën e dorëzuar, Serbia e përshkroi si të jashtëligjshëm vendimin e Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb për pagesa me para të gatshme, duke vlerësuar se ai është “vazhdimësi e masave të dhunës brutale fizike dhe institucionale ndaj serbëve” dhe sipas Beogradit, qëllimi është “spastrimi etnik dhe zhdukja e popullatës serbe.”.
Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, duke shprehur shqetësimin se mund të ketë ndikim negativ te komuniteti serb, për çka ka shprehur gatishmëri edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në vendbanimet ku jetojnë serbët në Kosovë, dinari serb ka qarkulluar që nga paslufta. Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale dhe përfitimet tjera. (Gyltene Sinani, TVM2)
