Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova sonte mësojnë kundërshtarët
Në kuadër të kongresit të UEFA-s...

Në kuadër të kongresit të UEFA-s, sot në Paris nga ora 18:00 do të hedhet shorti për ndeshjet e Ligës së Kombeve që nis në shtator të këtij viti.
Maqedonia dhe Kosova janë në përbërje të Ligës “C”. Përfaqësuesja e vendit është në vazon e tretë, ku janë edhe Sllovakia, Irlanda Veriore dhe Qipro. Ndërsa Kosova ndodhet në vazon e dytë, me Azerbajxhanin, Bullgarinë dhe Ishujt Faroe. Kombëtarja shqiptare do të luajë në Ligën “B”. Asnjëra kombëatre nuk mund të përballet me skuadrat që i ka në një vazo.
Ndryshimi në krahasim me edicionin e kaluar është se dy kombëtaret e para e jo vetëm një do të kalojnë në ¼ e finales me dy ndeshje. Paraqitja e kombëtarave në Ligën e kombeve, është e lidhur me eliminatoret evropiane për botërorin e ardhshëm.
Në eliminatoret plotësuese të UEFA-së, për botërorin e 2026-tës, do të kualifikohen 12 kombëtaret e dyta nga eliminatoret si dhe katër kombëtaret më të mira prej Ligës së Kombeve, e që nuk kanë siguruar kualifikimin përmes eliminatoreve.
