Rruga “Vëllezërit Milladinov” – Tetovë, “mollë sherri” midis komunës dhe MTL-së

08.02.2024 16:51

Rruga “Vëllezërit Milladinov” në Tetovë....

Rruga “Vëllezërit Milladinov” në Tetovë është “mollë sherri” mes komunës së Tetovës dhe Ministrisë së Transportit. Këta të fundit përmes këshilltarëve të BDI-së në Tetovë akuzojnë kreun e komunës, Bilall Kasami, se pa të drejtë promovon rrugët të cilat nuk i ka investuar buxheti i komunës.

Sipas tyre, kjo rrugë është financuar  kryekëput nga Ministria e Transportit me vlerë mbi 260 mijë euro.

“Kjo nuk është hera e parë që kryetari i komunës vrapon për të bërë bajraktarizëm. Ai ka tentuar shumë gjëra të tjera t`i përvetësojë, siç tentoi të përvetësojë edhe rrugën Tetovë-Prizren, duke e gabuar tërësisht edhe trasenë dhe duke dalë tepër qesharak, për t’u demantuar një ditë më pas edhe nga Qeveria e Kosovës. Qytetarët janë të vetëdijshëm se kush realizon projekte të mëdha dhe kush tenton t`i përvetësojë ata. Mundet vetëm t’i ëndërroni projektet që i realizojmë ne, por ju edhe kur ëndërroni, qëllimin e keni tek tenderët dhe përfitimi i klanit tuaj mafioz, e jo tek qytetarët.”, -  tha këshilltari i BDI-së në komunën e Tetovës, Fitim Mustafi.

Këto akuza i ka hedhur poshtë komuna e Tetovës. Zëdhënësja Besarta Ramadani ka theksuar se është projekt i fituar nga Banka Botërore. Ramadani thotë se në mënyrë shtesë është aplikuar edhe për infrastrukturën nëntokësore të kësaj rruge.

“Komuna e Tetovës ka aplikuar për projekt që është miratuar nga ana e Bankës Botërore dhe është një projekt që ka të bëjë me përmirësimin e infrastrukturës rrugore, sidomos të rrugëve lokale. Ndërkohë, komuna aplikoi dhe fitoi projekt nga UNDP-ja, për të përmirësuar infrastrukturën nëntokësore, atë të kanalizimit atmosferik dhe rrjetit tjetër përcjellës. Sqarojmë opinionin se mjetet nuk janë të Ministrisë edhe pse ata pretendojnë se projekti është i tyre, megjithatë komuna e Tetovës do të vazhdojë të punojë për përmirësimin e infrastrukturës në Tetovë.”, - deklaroi zëdhënësja e komunës së Tetovës, Besarta Ramadani.

Nuk është hera e parë që pushteti lokal dhe ai qendror hapin luftë përmes rrjeteve sociale se kush më shumë punon dhe investon në infrastrukturën rrugore në Tetovë. Tetovarët duan që kjo luftë të vazhdojë që çdo cep i Tetovës të jetë i asfaltuar dhe me kushte bashkëkohore. (Visar Sadiki, TVM2)