Përhapja e “kollës së mirë”, Mexhiti përfundimisht shpall epidemi në Shkup
Ministri i Shëndetësisë pranoi rekomandimet...

Ministri i Shëndetësisë pranoi rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Infektive dhe përfundimisht e shpalli epideminë e kollës së keqe në territorin e Shkupit. Drejtuesi i këtij dikasteri, Fatmir Mexhiti, njoftoi se dokumentet kanë arritur në Ministrinë e Shëndetësisë dhe udhëzimet janë dërguar nëpër punktet e vaksinimit. Me vendimin e ri, të gjitha punktet e vaksinimit do të punojnë me dy turne, 6 ditë në javë, si dhe fëmijët e pavaksinuar nuk do të pranohen në çerdhe.
“Të gjithë prindërit e rinj, të gjithë qytetarët i njoftoj se vendimi nuk është se ne duam t’ua ndalojmë fëmijëve që mos shkojnë nëpër kopshte, por ajo që duam të bëjmë është që t’i stimulojmë, sepse vërtet ju bëjmë dëm edhe fëmijëve të tjerë, duke përfshirë edhe fëmijët e vaksinuar.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
Nuk është ndërmarrë asnjë vendim për fëmijët që ndjekin mësimin nëpër shkolla, edhe pse të njëjtit janë të rrezikuar nga infeksioni, por Mexhiti tha se situata do të ndiqet me kujdes dhe në varësi të situatës do të merren vendimet.
“Ne e ndjekim situatën nga afër dhe Komisioni për Sëmundje Infektive ka ekspert që merren me këtë çështje dhe situata është nën monitorim 24/7, ku vendimet do të merren në bazë të rrethanave. Pra, do të veprojmë ashtu si do ta ndjekim situatën.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
Ndërkohë janë regjistruar edhe katër raste të reja me kollin e mirë në vend. Numri total arrin në 22 në nivel shtetëror, vetëm në Shkup janë regjistruar 18 raste.
Qytetarët kanë filluar të vaksinohen
Apelet e ministrit të Shëndetësisë për t’u vaksinuar vazhdojnë. Ndërsa qytetarët kanë filluar t’u përgjigjen thirrjeve.
“E vaksinova fëmijën, kam frikë edhe me vaksinë edhe pa vaksinë. Nuk din njeriu më çfarë të besojë, por përfundimisht kam vendosur të ndjek rregullat që vendos sistemi.”, - tha një qytetare.
“Po, e kam vaksinuar. Sapo përfundova vaksinimin dhe nuk kemi nevojë të frikësohemi. Rastet që janë infektuar janë fëmijë të pavaksinuar.”, - u shpreh një qytetar.
Megjithatë, autoritetet thonë se situata në Maqedoni është stabile. Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, deri më tani nuk është raportuar asnjë vdekje. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
