Botë

Konflikti izraelito-palestinez, Bajden kërkon pauzë në luftime

09.02.2024 09:51

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden, tha se Izraeli e ka “tepruar”...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden, tha  se Izraeli e ka “tepruar” në fushatën e tij ushtarake në Rripin e Gazës dhe shtoi se është duke punuar me këmbëngulësi për t’i shtyrë Izraelin dhe Hamasin të pajtohen për një armëpushim afatgjatë.
 
Shtetet e Bashkuara e cilësojnë Hamasin organizatë terroriste. Këto janë ndër kritikat më të ashpra publike që Bajdeni ia ka bërë deri më sot Qeverisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe vijnë pas rritjes së trysnisë së brendshme për ta bindur Izraelin t’i ndalë sulmet. Edhe palestinezët e Gazës shpresojnë dëshprimisht se një armëpushim mund të arrihet në kohë për ta shmangur një sulm të mundshëm izraelit në Rafah.
 
Por, Netanjahu thotë se Izraeli do të vazhdojë të luftojë derisa ta arrijë një “fitore të plotë” kundër Hamasit. Numri i palestinezëve të vrarë nga lufta katërmujore në Gazë ka arritur në 27,840, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Hamasi po i mban ende mbi 130 pengje, por rreth 30 prej tyre besohet se kanë vdekur.