Zaev: Rasti “Mito” ishte kurth, nuk ka dëshmi; Të hënën Zaev jep deklaratë në prokurori për “Puç”

01.04.2015 16:18

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, është ftuar në prokurori për dëgjim për rastin “Mito” lidhur me dyshimet se ka kërkuar ryshfet prej 200 mijë euro...

Sipas padisë penale të policisë, kreu i Komunës Strumicë ia ka kërkuar këtë shumë një biznesmeni për t’ia mundësuar privatizimin e një trualli ndërtimor të ndërtuar. Gjatë dëgjimit, Zaev ka parë dhe dëgjuar të gjitha dëshmitë rreth rastit “Mito”. Pas dëgjimit, Zaev tha se prokuroria nuk ka dëshmi të qëndrueshme për akuzën për kërkim ryshfeti. Sipas tij, pushteti është përpjekur t’i bëjë kurth duke ia imponuar një shumë të tillë përmes një biznesmeni. 

“Absolutisht jo. Pa hyrë në detaje që ta dëmtoj procesin, që të mos jem si pushteti që zbardh dhe lëshon në qarkullim masa të posaçme hetimore, e dini që unë e ndërpreva këtë proces, duke e ditur se po ndodh me muaj, më shumë se një vit, absolutisht në çdo mënyrë, duke u përpjekur që disi të imponohet ryshfeti. Unë e ndërpreva procesin për një arsye të thjeshtë, pasi nuk guxoja të rrezikoj çdo lloj kurthi që dikush ta realizojë deri në fund”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Zaev, ka parë dhe dëgjuar edhe dëshmitë për rastit “Puç”. Për këtë rast Zaev do të japë deklaratë në prokurori ditën e hënë. Sipas tij, dëshmitë e paraqitura nuk mbajnë, pasi në incizimet shihet se si diskutojnë liderët e dy partive politike për pesë pikat e propozuara nga opozita për tejkalimin e krizës.

“Të gjitha dëshmitë tregojnë se Zoran Zaev e ka lutur kryeministrin që të hyjnë në dialog për pesë kërkesat e opozitës dhe përfundimisht të kalojë kjo traumë nëpër Maqedoni. Nuk ka as kërcënime, as dhunë ndaj organeve shtetërore, as shtypje. Bisedojnë dy kryetarë të partive të mëdha, njëri në pushtet, tjetri në opozitë”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Zaev, shprehu shqetësimin që prokuroria ende nuk ka thirrur në dëgjim asnjë nga të dyshuarit në paditë e parashtruara nga LSDM-ja për përgjimet në masë, për kurdisjen e zgjedhjeve, për keqpërdorime të funksionit dhe keqpërdorime financiare. Kjo, sipas tij, dëshmon se gjyqësori në Maqedoni është nën kontroll të pushtetit ekzekutiv. (Shpëtim Nuredini, TVM2)