Maqedoni

Sindikata e Hekurudhave, bojkoti në ditën e tretë, kërkohen paga më të larta

01.04.2015 16:41

Pjesa më e madhe e të punësuarve në “Hekurudhat e Maqedonisë” vazhdojnë bojkotin e punës...

Të mbështetur nga Sindikata e Pavarur e Hekurudhave, ata kërkojnë nga Ndërmarrja “Hekurudhat e Maqedonisë” që t’u rriten kompensimet për punën e kryer në turnin e natës, fundjavës dhe festave. Ata gjithashtu kërkojnë që rroga të mos u jepet në dy pjesë.
 
Kryetari i Sindikatës së Pavarur, Dushko Çakarovski, tha se trafiku hekurudhor është ndërprerë pjesërisht dhe ai po mbulohet nga 20% e shoferëve.
 
Pjesa tjetër nuk do të kryejnë obligimet derisa nuk marrin marrëveshjen kolektive në të cilën do të jenë të përfshira kërkesat e shtruara.
 
“Personeli në pjesën e makinerisë nuk do të lejojë më shumë të jetë i manipuluar. Ne kemi marrë vendim që përderisa nuk na merren parasysh kërkesat tona në marrëveshjen kolektive, ne nuk do të kryejmë detyrat tona të punës”- deklaroi kryetari i Sindikatës së Pavarur të Hekurudhave, Dushko Çakarovski.
 
Dje, drejtori i kësaj ndërmarrje, Nikolla Kostov, deklaroi se puna në hekurudha nuk do të ndërpritet, pasi që bëhet fjalë për një numër të vogël të të punësuarve të pakënaqur. Sipas Kosotovit, deri në fund të javës marrëveshja kolektive do të jetë gati dhe në të do të përfshihen kërkesat e punëtorëve.
 
Me një deklarim të tillë nuk pajtohet Sindikata e Pavarur e Hekurudhave. Nga takimi që realizuan sot me përfaqësues të ndërmarrjes ata dolën të zhgënjyer.
 
“Çfarë marrëveshje do të nënshkruhet? Marrëveshja ekziston me vite, por assesi të pranohen dhe të futen në këtë marrëveshje kërkesat tona”- tha Çakarovski.
 
Drejtuesit e trenave bojkotuan punën edhe para një muaji e gjysmë, por kjo nuk zgjati shumë, pasi që ata filluan bisedime me udhëheqësinë e re të ndërmarrjes dhe me ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievskin.
 
Pasi e gjithë situata nuk mori epilog konkret, ata tanimë tre ditë rinisën bojkotin me mbështetjen e 97 shoferëve të trenave nga gjithsej 140.
 
MERAL ISMAILI