Botë

Në 24 orët e fundit 107 të vrarë në Gazë, OKB-ja dhe ShBA-ja kundër operacionit në Rafah

09.02.2024 14:15

Derisa Izraeli vazhdon sulmet e tij në Rripin e Gazës, në 24 orët e fundit të paktën 107 palestinezë...

Derisa Izraeli vazhdon sulmet e tij në Rripin e Gazës, në 24 orët e fundit të paktën 107 palestinezë janë vrarë dhe 142 të tjerë janë plagosur, bën të ditur Ministria e Shëndetësisë në Gazë. Beteja të ashpra po zhvillohen në Kan Junis ku janë vrarë më shumë se 20 anëtarë të Hamasit. 
 
“Të lënduarit janë dërguar në spital, ndërsa dy nga vajzat janë të zhdukura. Ato nuk janë luftëtarë, por njerëz të thjeshtë.”, - u shpreh një qytetare.
 
“Kishte shpërthime të fuqishme, situata është e tmerrshme, është shkatërruar një ndërtesë e tërë, pa kurrfarë paralajmërimi.”, - tha një qytetar.
 
Sekretari i OKB-së, Guteres, sërish ka ngritur shqetësimet për katastrofë humanitare dhe rrezikun për përhapjen e konfliktit në rajon.
 
“Situata në Gazë po përkeqësohet vazhdimisht. Përveç rasteve të vdekjes dhe shkatërrimet nga operacionet ushtarake, uria dhe sëmundjet po i shkatërrojnë palestinezët. Sidomos janë shqetësuese informacionet se ushtria izraelite synon të fokusohet në Rafa, ku aktualisht ndodhet gjysma e popullsisë së Gazës dhe ata nuk kanë ku të shkojnë.”, - deklaroi sekretari i OKB-së, Antonio Gutrerres. 
 
Një delegacion i Hamasit ka arritur në Kajro për të vazhduar bisedimet për ndërprerjen e luftimeve. Zyrtarët egjiptian thonë se bisedimet pritet të zgjasin 10 ditë, para se të fillojë faza e parë e ndërprerjes së konfliktit në kuadër të marrëveshjes së propozuar prej tri fazash.
 
Bajden, po ashtu tha se Izraeli e ka “tepruar” në fushatën e tij ushtarake në Rripin e Gazës dhe shtoi se është duke punuar me këmbëngulësi për t’i shtyrë Izraelin dhe Hamasin të pajtohen për një armëpushim afatgjatë.
 
“Kam bërë presion nga të gjitha anët, me të vërtetë është e vështirë të arrihet te ndihma humanitare në Gazë. Ka shumë njerëz të pafajshëm të uritur apo që vdesin, kjo patjetër të ndërpritet.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Xho Bajden.
 
Por, kryeministri izraelit, Netanjahu, mbetet në qëndrimin se Izraeli do të vazhdojë të luftojë derisa ta arrijë një “fitore të plotë” kundër Hamasit. Netanjahu ka deklaruar se përgatitjet janë duke u zhvilluar për të zgjeruar ofensivën e Izraelit në Rafah, ku 1,4 milionë njerëz që u larguan nga zona të tjera të Gazës.
 
Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Izraelin se organizimi i një ofensive ushtarake në qytetin jugor të Gazës, Rafah, pa planifikimin e duhur do të ishte një katastrofë. Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se nuk do të mbështesë operacione të mëdha pa iu ofruar refugjatëve atje siguri.
 
Ka reaguar edhe Egjipti, i cili ka thënë se çdo operacion tokësor në zonën Rafah ose zhvendosje masive përtej kufirit do të minonte traktatin e tij 40-vjeçar të paqes me Izraelin.
 
GYLTENE SINANI