Maqedoni
Zgjedhjet në “Zoom”, Musliu: Qasje me kërkesa të unifikuara
09.02.2024 14:37
Pa marrë parasysh se kush do të jetë fitues në zgjedhjet parlamentare...

Pa marrë parasysh se kush do të jetë fitues në zgjedhjet parlamentare, kërkesat e të gjitha subjekteve politike shqiptare duhet të jenë të unifikuara, vlerësuan panelistët në emisionin “Zoom”. Sipas tyre, orientimi evropian duhet të jetë kusht për partitë politike shqiptare.
Analisti Albert Musliu, madje propozojnë që partitë politike të dalin me një marrëveshje paraprake me kërkesa të përbashkëta drejtuar fituesit të zgjedhjeve në kampin maqedonas.
“Unë uroj që këto subjekte politike, pa marrë parasysh sa do të dalin dy apo tre, të ndarë apo të bashkuar, të nënshkruajnë një marrëveshje paraprake ku do të thonë se ky është parakushti i parë, ky është parakushti i tretë, por këto parakushte nuk duhet të harrohen. Nuk mund ta paramendoj se subjektet politike shqiptare do të bashkëqeverisin me një parti politike, e cila do të thoshte se integrimet evropiane nuk janë prioriteti ynë, ç’na duhen atëherë?”, - deklaroi analisti politik, Albert Musliu.
Neziri: Të mos ulen kërkesat për pushtet
Edhe analisti Xhelal Neziri vlerëson se partitë politike shqiptare nuk duhet që me çdo kush të hyjnë në Qeveri, pa marrë hisen e duhur që u takon dhe pa vënë si kusht ndryshimet kushtetuese.
“Nëse një parti maqedonase nuk është e gatshme që të kalojë ato ndryshime, atëherë nuk duhet të ketë edhe koalicion, për shkak se ne nuk kemi kohë për të pritur. Nëse nuk përmbushen këto kritere, standarde, atëherë nuk ka pse marrim pjesë në Qeveri. Pra, duhet të mendohet më ndryshe, ajo pjesëmarrje, jo si garë siç e patëm në vitin 2006 dhe 2008, se kush do ta ulë më tepër pazarin, kush do të ofrojë asgjë që të futet në Qeveri, sepse 4-5 grupe brenda partive kishin interes që me çdo kusht të hyjnë në Qeveri, tani ajo kohë ka kaluar.”, - theksoi analisti politik, Xhelal Neziri.
Sa i përket përçarjeve në ASh, analistët vlerësuan se sipas rrethanave aktuale është e pritshme që njëra palë e Aleancës të shkojë me opozitën, kurse pala tjetër të shkojë në një koalicion me BDI-në.
ERSAN PAJAZITI
