Maqedoni
Dokumentet personale, zyrat diplomatike konsulare jashtë vendit lëshojnë fletudhëtime për shtetasit e RMV-së
09.02.2024 15:13
Shtetasit tanë jashtë vendit që posedojnë dokumente të vjetra udhëtimi...

Shtetasit tanë jashtë vendit që posedojnë dokumente të vjetra udhëtimi, pas datës 12 shkurt do të mund të kthehen në RMV me fletudhëtim, i cili do të lëshohet në zyrat diplomatike-konsullore. Këtë e bëri të ditur ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, sipas të cilit nuk ka vend për panik, sepse do të punohet në dy turne, të shtunën dhe të dielën.
“Dëgjoj informacione se njerëzit janë të frikësuar se ndoshta pas 12 shkurtit do të humbin vendet e punës ose do t’u ndërpriten lejet e përkohshme të qëndrimit. Unë dua t’ju them se nuk ka asnjë arsye për shqetësim, sepse përfaqësitë tona janë atje ku jetojnë dhe do t’ju dalin në ndihmë për çfarëdo vështirësie që kanë. Do t’u mundësojmë dokumente të përkohshme udhëtimi, që të arrijnë lehtë deri te to, por edhe lehtësime tjera pavarësisht se ku gjinden qytetarët në Evropë, ShBA, Australi apo Afrikë.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
I pyetur se çka do të ndodh nëse qytetarët mbërrijnë në kufi pa siguruar fletudhëtimin, Osmani me përgjigje se nuk jep garanci për këta qytetarë, edhe pse po punohet që të ketë edhe alternativa tjera të kthimit.
“Për çështje humanitare do të gjejmë mënyrë që edhe me ato pasaporte të kthehen, por mos të jap garanci për këtë, sepse mendoj që qytetarët duhet të jenë të përgatitur sikur nuk do të ketë një mundësi të tillë, por ne do të punojmë që të kemi edhe alternativa tjera se si ata t’i kthejmë në shtëpitë e tyre.”, - theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Osmani më tej shtoi se në Gjermani dhe Itali janë vendosur edhe dy stacione bazë, sepse atje është regjistruar kërkesa më e madhe për dokumente të udhëtimit. Shtetasit e RMV-së, kërkesat për pasaporta të reja do të mund t'i dorëzojnë onlajn dhe do t'i marrin me postë. (Flutura Latifi, TVM2)
